Fjala e Rektorit, Prof. Dr. Artan HOXHA për fillimin e vitit të ri akademik 2022-2023! - UNIVERSITETI I TIRANËS

Fjala e Rektorit, Prof. Dr. Artan HOXHA për fillimin e vitit të ri akademik 2022-2023!

Të dashur studentë, të nderuar anëtarë të personelit akademik dhe staf i Universitetit të Tiranës!

Në emër të stafit drejtues të UT- ës, por dhe në cilësinë e Kryetarit të Konferencës së Rektorëve dua t’Ju uroj një fillim të mbarë të vitit të ri akademik 2022-2023!

Uroj të gjithë studentët, dhe në veçanti ato vajza dhe djem të mrekulleshëm që i janë bashkuar për herë të parë Universitetit të Tiranës dhe Ju siguroj që keni bërë zgjedhjen e duhur duke hedhur themelet e jetës tuaj pasi UT- ës është institucioni më i rëndësishëm dhe i madh në vend.

Ky është një vit i veçantë për ne sepse festojmë 65 vjetorin të UT-ës.

Realizimi i misionit dhe objektivave mbetet në fokusin e punës tonë të përditshme, pasi në këto vite UT-ës ka treguar se mund të përballet me sfidat e zhvillimit të qendrueshëm dhe atyre në kuadër të procesit të integrimit në BE.

Puna jonë e përbashkët ka dhënë rezultate dhe produkte konkrete, ku Universiteti i Tiranës sot është një qendër ekselence, në funksion jo vetëm të krijimit të specialistëve për nesër, por edhe si kontribues në zhvillimin e shoqërisë.

Dëshira, vullneti dhe nevoja që studentët shfaqin për të mësuar dhe përthithur dije dhe aftësi të reja na ka bërë ne si IAL që të zhvillojmë më tej aftësitë tona kërkuese dhe krijuese. Nëpërmejt inovacionit dhe digjitalizimit kemi arritur që aplikimin dhe implementimin e shumë proceseve ta kryejmë me eficiencë të lartë.

UT ofron këtë vit akademik 14 programe studimi në gjuhën angleze në ciklin Bachelor dhe Master të miratuara nga MAS. Këtë vit Universiteti i Tiranës do të japë për herë të parë edhe diplomën në gjuhën angleze për të gjithë studentët e ciklit Bachelor që përfunduan studimet e tyre në këtë gjuhë.

Një falenderim i veçantë dhe mirënjohje shkon për të gjitha strukturat tona akademike, ndihmësakademike dhe administrative të cilat janë angazhuar plot përkushtim dhe kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar ecurinë e procesit mësimor në këtë vit të ri akademik.

Të nderuar anëtarë të personelit akademik, ndihmësakademik dhe administrativ, përkushtimi, mbështetja dhe profesionalizmi i lartë që Ju përcillni nëpërmjet punës tuaj të përditshme janë çelësi i suksesit në UT.

Ju uroj suksese në procesin mësimdhënës dhe kërkimor, në zhvillimin e ideve dhe projekteve të reja krijuese dhe zbatimin e tyre të vazhdueshëm!

Ju uroj shëndet dhe suksese në këtë vit të ri akademik!

 

Rektor i Universitetit të Tiranës

Prof. Dr. Artan HOXHA