Rektori i Universitetit të Tiranës zhvilloi një takim pune me Rektorët e Universiteteve Publike, respektivisht me Prof. Dr. Skënder Topi, i Universitetit “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, Prof. Dr. Suzana Golemi, e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, e Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës dhe Prof. Roland Zisi, i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë dhe me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë z. Artur Metani.
Takimi kishte në fokus vullnetin për vendosjen e urave të bashkëpunimit konkret, në funksion të përgatitjes së studentëve të Fakulteteve të Drejtësisë me praktikën e punës dhe funksioneve të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Rektorët dhe z. Metani dhe bashkëndanë mendimin se zhvillimi profesional, fillestar dhe i vazhdueshëm i studentëve do jetë një ndihmesë e jashtëzakonshme, si në mbështetje të kurrikuluës arsimore, ashtu edhe për zhvillimin e kapaciteteve të studentëve me praktikën e punës së ILD-së.
Gjatë bashkëbisedimit u identifikuan disa mënyra bashkëpunimi, si përmes leksioneve të hapura në universitete nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, përmes praktikave mësimore të studentëve pranë ILD-së, si dhe një bashkëpunimi më të gjerë e në vijimësi, përmes projekteve të përbashkëta e aktiviteteve të ndryshme në fusha me interes të përbashkët.
Bashkëpunimi i universiteteve të Tiranës, Elbasanit, Shkodrës, Durrësit me ILD-së do formalizohet së shpejti me marrëveshje konkrete bashkëpunimi.