Universiteti i Tiranës aplikon për herë të parë për t’u bërë pjesë e Aleancës Universitare Europiane, UNINOVIS DATA FOR L.I.F.E.
Në kuadër të ndërkombëtarizimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit më aktorë universitarë, Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha nënshkroi deklaratën e pjesëmarrjes së UT në UNINOVIS së bashku me rektorët e 6 universiteteve publike evropiane: me rektorin e Universitetit Sorbonne Paris Nord, Francë; të Universitetit Teknik të Shkencave të Aplikuara Würzburg-Schweinfurt, Gjermani; të Universitetit të Kampanias “Luigi Vanvitelli”, Itali; të Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Tamperes, Finlandë; të Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Kaunasit, Lituani; si dhe të Universitetit të Malagës, Spanjë.
Aleanca UNINOVIS synon të krijojë diploma të përbashkëta ose të dyfishta në të gjitha ciklet e studimit në fushën e të dhënave (Data Sciences), nëpërmjet së cilës studentët do të specializohen që të kuptojnë, të analizojnë, të përdorin, të administrojnë dhe të sigurojnë të dhëna të aplikuara në shumë fusha studimore.
Gjithashtu, në kuadër të kësaj marrëveshjeje synohet edhe krijimi i Universitetit të parë Evropian në shkencat e të dhënave (DATA SCIENCES).
Rektorët e universiteteve partnere të Aleancës UNINOVIS u angazhuan që edhe në vijim të nënshkruajnë marrëveshje bilaterale në kuadër të programit Erasmus+, si dhe të bëjnë bashkëpunime të tjera të frytshme në fushën e kërkimit shkencor dhe të mësimdhënies.