Bordi i Akreditimit me vendim nr. 4 datë 27.01.2023, akrediton Universitetin e Tiranës me akreditim maksimal prej 6 (gjashtë) vite - UNIVERSITETI I TIRANËS

Bordi i Akreditimit me vendim nr. 4 datë 27.01.2023, akrediton Universitetin e Tiranës me akreditim maksimal prej 6 (gjashtë) vite

 

Të nderuar kolegë, studentë dhe miq!

Kam nderin dhe kënaqësinë t’Ju njoftoj të gjithëve, se sot ASCAL ka përcjellë zyrtarisht vendimin e Bordit të Akreditimit nr. 4 datë 27.01.2023, që akrediton Universitetin e Tiranës me akreditim maksimal 6 (gjashtë) vite.

Akreditimi i UT-së ishte një proces gjithëpërfshirës, i cili tregoi vlerat dhe përkushtimin e gjithësecilit prej jush.

Ky moment vjen natyrshëm si çertifikimi i punës së palodhur e të përkushtuar të personelit akademik, ndihmësakademik, administrativ, studentëve, bashkëpunëtorëve të Universitetit të Tiranës dhe të gjithë atyre ish studentëve tanë që me arritjet e tyre janë mbështetje solide e një alumni që do të bënte krenarë çdo IAL.

Universiteti i Tiranës ofron mendim shkencor bashkëkohor, zgjidhje funksionale e inovative, frymë bashkëpunimi duke u bërë faktor i rëndësishëm në zhvillimin e shoqërisë shqiptare.

Me këtë rast dua t’Ju falenderoj të gjithëve për kontributin e shkëlqyer që keni dhënë për Universitetin e Tiranës e në veçanti, të gjithë ata që u përfshinë në grupet e vlerësimit të brendshëm dhe drejtuesit e çdo njësie, që me punën e tyre voluminoze e cilësore evidentuan dhe pasqyruan arritjet, vlerat dhe potencialin që Universiteti i Tiranës ka si një universitet lider dhe qendër e rëndësishme ekselence me rëndësi kombëtare dhe rajonale.

Universiteti i Tiranës është përfshirë në një proces zhvillimi, modernizimi të programeve të studimit, ofrimit të diploma dyfishe, në gjuhë të huaj me disa nga universitetet më të rëndësishme në Evropë, kërkimit shkencor dhe inovacionit me qëllim përballimin e sfidave që Arsimi i Lartë dhe shoqëria shqiptare ka në procesin e integrimit të saj në Bashkimin Evropian.

Kontributi i gjithësecilit prej jush bën të mundur kapërcimin e këtyre sfidave e me këtë rast Ju uroj suksese dhe Ju falenderoj për kontributin Tuaj.

 

Me respekt dhe mirënjohje

                                                                                                   Rektori

                                                                                    Prof. Dr. Artan HOXHA