Rektori i Universiteti i Tiranës Prof. Dr. Artan Hoxha nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Rektorin e Akademisë së Studimeve Albanologjike, Prof. Dr. Luan Përzhita në fushën e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor.
Të dyja palët zotohen që të marrin në shqyrtim nevojat e vendit dhe ato të përbashkëta gjatë bashkëpunimit të tyre, me qëllim për të përfituar nga zhvillimi dhe shkëmbimi mësimor dhe shkencor, aktiviteteve trajnuese/edukuese të personelit akademik dhe projekteve të përbashkëta të zhvillimit, studimeve në fushën e gjuhësisë e letërsisë, albanologjisë, arkeologjisë, antropologjisë etj.
Drejtimet kryesore të këtij bashkëpunimi do të jenë:
1. Bashkëpunim në fushat e kërkimit shkencor në përputhje me fushën e veprimtarisë që aktualisht zhvillojnë institucionet.
2. Bashkërendimin e politikave të hulumtimeve, kërkimeve, studimeve mbështetëse, në fusha të reja të zhvillimit si shkencat albanologjike, gjuhësia, letërsia, historia, arkeologjia etj.
3.Zhvillimin e programeve të përbashkëta dhe kërkimit shkencor.
4. Shkëmbim të personelit akademik për veprimtaritë akademike, kërkimore-shkencore, praktikave profesionale, dhe trajnimeve të përbashkëta.
5. Mobilitetin e personelit akademik, kërkuesve dhe të studentëve në kuadrin e veprimtarive kërkimore shkencore në shkencat albanologjike.
6. Hartimin dhe mbështetjen reciproke, realizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe formuese, në fushat e sipërcituara.
7. Nxitjen, mbështetjen dhe realizimin e veprimtarive të tjera shkencore (konferenca, seminare e publikimeve) në fusha me interes të dyanshëm.
8. Vënien në dispozicion të infrastrukturës respektive, në funksion të veprimtarive akademike e shkencore, shkëmbimin e literaturës shkencore që palët disponojnë, aksesi në arkivë, bibliotekë, laboratorë etj.
9. Shkëmbimin e përvojës lidhur me menaxhimin institucional dhe aspekte të tjera të karakterit administrativ
Bashkëpunimi do të mbështetet mbi bazën e parimeve demokratike dhe në pajtim me autonominë universitare dhe lirinë akademike të të dy palëve.