Vizitë e delegacionit të Universitetit Sorbonne Paris Nord i kryesuar nga Rektori, Prof. Christophe Fouqueré, Zv. Rektori i Marrëdhënieve me Jashtë, Prof. Guy Dirras dhe Koordinatorja e Aleancës Universitare UNINOVIS, Prof. Gladys Diaz.
Rektori i Universitetit të Tiranës Prof. Dr. Artan Hoxha mirëpriti Rektorin e Universitetit Sorbonne Paris Nord, në ambientet e Rektoratit të UT-së.
Gjatë këtij takimi u diskutua për forcimin e bashkëpunimit midis dy universiteteve në të gjitha fushat e studimit që mbulohen nga dy institucionet.
Kujtojmë këtu se Universiteti i Tiranës ka konkretizuar bashkëpunimin me Universitetin Sorbonne Paris Nord fillimisht me, krijimin e Diplomës së dyfishtë Master Shkencor në fushën e trajtimit automatik të gjuhëve në vitin akademik 2022-2023; përfshirjen e UT-së në Aleancën Universitare UNINOVIS DATA for L.I.F.E, synimi i të cilës është krijimi i Universitetit të parë Evropian në fushën e Data Sciences; mobilitete në kuadër të programit Erasmus+.