Me iniciativën prestigjioze të Komisionit Evropian, Universiteti i Tiranës tashmë është zyrtarisht pjesë e Aleancave të Universiteteve Evropiane (European University Alliances). - UNIVERSITETI I TIRANËS

Me iniciativën prestigjioze të Komisionit Evropian, Universiteti i Tiranës tashmë është zyrtarisht pjesë e Aleancave të Universiteteve Evropiane (European University Alliances).

 

Me iniciativën prestigjioze të Komisionit Evropian, Universiteti i Tiranës tashmë është zyrtarisht pjesë e Aleancave të Universiteteve Evropiane (European University Alliances).

Pas thirrjes së shpallur në kuadër të “European Universities 2024 Erasmus+ initiative”, për krijimin e Aleancave të Universiteteve Evropiane (European Commisions’s flagship project for universities and higher education institutions in Europe) aplikuan 56 projekte, ndër të cilat fituan 14, ku përfshihen 130 institucione të arsimit të lartë. 14 projektet fituese do të mbështeten financiarisht nga Komisioni Evropian për të krijuar dhe zhvilluar Aleancën e tyre të Universiteteve Evropiane.

Universiteti i Tiranës njofton se Aleanca në të cilën është anëtar me të drejta të plota – UNINOVIS – Data for L.I.F.E – dhe që synon të krijojë universitetin e parë evropian në shkencën e të dhënave, u shpall fituese dhe u rendit e dyta me një vlerësim shumë të lartë (94/100 pikë) nga Komisioni Evropian.

Aleanca, në të cilën bën pjesë Universiteti i Tiranës, përbëhet nga 7 partnerë me të drejta të plota:

Universiteti i Tiranës (UT), Shqipëri;

Universiteti Sorbonne Paris Nord (USPN), Paris, Francë;

Universiteti i Shkencave të Aplikuara i Tamperes (TAMK), Finlandë;

Univsersiteti i Shkencave të Aplikuara, Würzburg-Schëeinfurt (THWS), Gjermani;

Universiteti i Malagës (UMA), Spanjë;

Universiteti i Kampanias “Luigi Vanvitelli” (UDCLV), Itali;

Universiteti i Shkencave të Aplikuara i Kaunasit (KK), Lituani.

 

Gjithashtu, në këtë Aleancë janë përfshirë edhe 60 partnerë të asociuar, siç janë disa institucione të tjera të arsimit të lartë të shteteve të ndryshme, si: Austria, Holanda, Ukraina etj., autoritete drejtuese qendrore e lokale, si dhe ndërmarrje e organizata joqeveritare nga të gjitha shtetet pjesëmarrëse të Aleancës (Francë, Finlandë, Itali, Gjermani, Spanjë, Lituani dhe Shqipëri).

Duke qenë pjesë e UNINOVIS-it, Universiteti i Tiranës është njëherësh pjesë e një rrjeti universitar prestigjoz evropian që synon:

  • të vendosë një strategji të përbashkët afatgjatë për arsimin e lartë në shërbim të shoqërisë, që ka të bëjë me kërkimin dhe inovacionin;
  • të ndërtojë kampusin evropian ndëruniversitar për studentët dhe anëtarët e stafit akademik për të studiuar dhe punuar në vende të ndryshme evropiane, në gjuhë të ndryshme dhe në të gjithë sektorët e disiplinat akademike që lidhen me shkencën e të dhënave;
  • të krijojë ekipe ndërdisiplinore evropiane për krijimin e njohurive me ekosistemin e tyre të inovacionit për të ndihmuar në trajtimin e sfidave aktuale dhe të ardhshme të shoqërisë.

 

UNINOVIS-i do të krijojë ura bashkëpunimi midis fakulteteve, departamenteve, stafit akademik dhe studentëve, duke ofruar mundësi të shumta (fizike e virtuale) për lëvizshmërinë e tyre, si dhe mësimdhënie më inovative bazuar në qasje ndërdisiplinore dhe do të hartojë më shumë programe të përbashkëta për të kuptuar, analizuar, përdorur, menaxhuar dhe ruajtur të dhënat në të gjitha fushat e përdorimit (duke filluar me programet e micro-credentials deri te studimet e doktoraturës).

Aleanca Universitare UNINOVIS Data for L.I.F.E nuk do të jetë vetëm vlerë për universitetet pjesëmarrëse, por edhe një mjet i fuqishëm për të nxjerrë në pah nevojat e secilit prej tyre, si dhe për të zgjidhur sfidat me të cilat përballet çdo universitet evropian: nëpërmjet modeleve inovative të arsimit të lartë, forcimit të bashkëpunimit mes tyre, vënies në praktikë të nismave të reja dhe krijimit të një rrjeti të gjerë ndërkombëtar. 

UNINOVIS-i do të jetë një mundësi dhe një dritare e re për të gjitha institucionet e arsimit të lartë për të arritur një nga objektivat kryesorë: krijimin e një universiteti lider në fushën e të dhënave, në mënyrë që studentët e UT-së, të rinjtë shqiptarë dhe ata të rajonit, si dhe stafet akademike, të jenë pjesë e universiteteve të njohura ndërkombëtare.

Në kuadër të zbatimit të këtij projekti madhor, në datën 3 korrik 2024, Rektori i UT-së, prof.dr. Artan Hoxha, dhe rektorët e universiteteve partnere zhvilluan takimin e parë në Universitetin e Kampanias “Luigi Vanvitelli”, në Napoli, ku diskutuan për fillimin dhe mbarëvajtjen e punës së Aleancës.