Ekipi akademik і Universitetit të Tiranës dhe Universitetit Politeknik të Tiranës realizoi vizitën e parë zyrtare në Këshillin Evropian të Kërkimit Bërthamor (CERN) në Gjenevë të Zvicrës, duke punuar në grupin e Resistive Plate Chambers (RPC), si pjesë e bashkëpunimit ndërkombëtar të Compact Muon Solenoid (CMS) në laboratorin 904, në Prévessin.
Universiteti i Tiranës dhe Universiteti Politeknik i Tiranës në këte takim u perfagësuan nga:
1. Prof. Asoc. Dr. Rudina Osmanaj (UT);
2. Prof. Asoc. Dr. Klaudio Peqini (UT);
3. Prof. Asoc. Dr. Olta Çakaj (UT);
4. Dr. Enkelejd Çaça (UPT).
Grupi shqiptar u përfshi në aktivitetet e grupit të punës së iRPC. Prof. Asoc. Dr. Klaudio Peqini dhe Dr. Enkelejd Çaça, së bashku me Dr. Maxime Gouzevitch-in punuan mbi kalibrimin e Front-End-Board (FEB), ndërkohë Prof. Asoc. Dr. Olta Çakaj dhe Prof. Asoc. Dr. Rudina Osmanaj punuan në asemblimin e dhomave të detektorëve iRPC. U punua mbi testin e rrjedhjes së gazit, presionit, si dhe testin e tensionit të lartë të dhomave. Njëkohësisht u punua në asemblimin e të gjitha pjesëve të iRPC.
Po ashtu u realizuan takimet me menaxherin e projektit të RPC dhe iRPC: Prof. Salvatore Buontempo dhe Dr. Ece Asilar, me te cilët u diskutua mbi mundësitë e përfshirjes së studentëve të doktoraturës në projekte që mund të kishin kontribut direkt në punën e këtij grupi.
Kjo vizitë ndihmoi grupin e CMS Albania të japë edhe kontributin e parë shkencor të rëndësishëm, i cili u realizua për herë të parë që nga 2020, për studimin dhe kalibrimin e elektronikës së leximit për detektorët iRPC. Kjo gjë nuk ishte bërë që nga krijimi i tyre. Ky kontribut u aprovua edhe nga bordi shkencor në CERN gjatë takimit të aprovimit të rezultateve nga bordi shkencor (30 Gusht, 2024).
Gjithashtu grupi i punës realizoi takime pune me Prof. Hafeez Hoorani, Deputy Chair CMS Collaboration Board, me të cilin u diskutuan mundësitë e përfshirjes së institucioneve shqiptare në CMS. Ai theksoi rëndësinë e harmonizimit të anëtarëve me formime të ndryshme në grupin CMS Albania, ku me rëndësi është që të ketë edhe një ose dy teoricienë.
Rezultatet u prezantuan në konferencën ndërkombëtare te XVII-të të RPC-ve në Santiago De Compostela, Spanjë, më 9-13 Shtator 2024 në Punimin me titull “CMS iRPC readout electronics”.