Universiteti i Tiranës do të trajnojë përkthyesit zyrtarë të drejtësisë - UNIVERSITETI I TIRANËS

Universiteti i Tiranës do të trajnojë përkthyesit zyrtarë të drejtësisë

Në ambientet e Rektoratit të Universitetit të Tiranës u zhvillua sot ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit midis Universitetit të Tiranës dhe Ministrisë së Drejtësisë, e cila ka për qëllim trajnimin dhe kualifikimin e përkthyesve zyrtarë në funksion të përmbushjes së kërkesave ligjore dhe mbështetjes së procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi institucional që, përveç karakterit të tij të gjerë, fokusohet në një aspekt thelbësor: formimin profesional të përkthyesve zyrtarë në gjuhën shqipe dhe gjuhët e huaja.

‘’UT ka kapacitetet e duhura për të kontribuar në këtë drejtim përmes dy fakulteteve të tij lider: Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë. Ky bashkëpunim është një ndër shërbimet që universiteti ofron për të tretët dhe një formë konkrete e mbështetjes që i jepet shoqërisë shqiptare në sfidat kryesore që ka përpara”, – u shpreh Rektori Hoxha.

Nga ana e tij, Ministri i Drejtësisë, z. Ulsi Manja, vlerësoi këtë marrëveshje si një hap domethënës drejt përmirësimit të cilësisë së përkthimeve dhe të redaktimit gjuhësor të akteve zyrtare.

“Ligji për përkthyesin zyrtar, i miratuar në vitin 2021, ka hasur vështirësi në zbatim, por sot jemi në momentin e duhur për ta realizuar me ndihmën e një institucioni të besueshëm si UT. Kjo marrëveshje është një kontribut i drejtpërdrejtë në procesin e integrimit dhe ndikon drejtpërdrejt në reputacionin e shtetit shqiptar në Bruksel”, – theksoi ministri Manja.

Përkthyesit zyrtarë të drejtësisë shërbejnë për përkthimin e dokumentave ligjorë, në shkëmbimet mes institucioneve ndërkombëtarë dhe qeveritë e strukturat partnere të hetimit dhe gjykimit, por edhe për përkthimin e praktikave të shumta ligjore dhe administrative për përfarimin ligjor, në kushtet e negociatave me BE-në.