Të nderuar profesorë dhe anëtarë të personelit të Universitetit të Tiranës,
Të dashur studentë,
Fillimi i vitit të ri akademik në Universitetin e Tiranës shënon jo vetëm një kapitull të ri për mijëra të rinj që i bashkohen komunitetit tonë, por edhe vijimin e një rrugëtimi të përbashkët për dijen, shkencën dhe shoqërinë.
Është një emocion i veçantë, por edhe përgjegjësi, të mirëpresim studentët që këtë vit për herë të parë ulen në auditorët tanë. Ju përgëzoj për zgjedhjen tuaj të rëndësishme për të studiuar në universitetin më të madh publik të vendit, me traditën më të gjatë akademike dhe me standarde të larta cilësie.
Universiteti i Tiranës nuk është vetëm një vend studimi, por edhe një hapësirë që promovon inovacionin, mendimin kritik, frymën e bashkëpunimit, vlerat humane dhe zhvillimin personal, duke ju bërë pjesë të një komuniteti të gjallë e dinamik.
Universiteti i Tiranës, këtë vit, është më i hapur dhe më ndërkombëtar se kurrë. Me 165 programe studimi, që janë zgjedhja e mbi 60% të maturantëve në shkallë vendi; me 175 marrëveshje bashkëpunimi, 135 partnerë Erasmus+, 8 diploma të dyfishta me universitete të shquara ndërkombëtare; me 19 programe në gjuhë të huaj, 160 projekte kombëtare dhe ndërkombëtare dhe 13 rrjete akademike, dëshmon se është i përgatitur dhe kontribuon për sfidat që kalon shoqëria shqiptare, si edhe është i lidhur ngushtë me zhvillimet globale.
Të dashur studentë, kjo është koha për t’u përgatitur për zhvillimin tuaj shoqëror dhe profesional. Të jeni aktivë, kërkues dhe të angazhuar! Ne, pedagogët dhe personeli përkushtuar i Universitetit të Tiranës, do të jemi gjithmonë pranë jush për t’ju mbështetur në çdo hap të këtij rrugëtimi. Së bashku do të vijojmë ta çojmë përpara Universitetin e Tiranës, si një model ekselence dhe cilësie në arsimin e lartë.
Inkurajojmë maturantët që kanë aplikuar në programet e Universitetit të Tiranës, por që ende nuk janë regjistruar, ta bëjnë këtë sa më shpejt dhe të mos rrezikojnë mundësinë për të studiuar në universitetin tonë.
Suksese dhe një vit akademik të mbarë për të gjithë!
Rektor i Universitetit të Tiranës
Prof. Dr. Artan HOXHA