Sot, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja mirëpriti studentët e vitit të parë dhe hapi zyrtarisht vitin e ri akademik në Universitetin e Tiranës.
Në këtë ditë të veçantë, Dekania Prof. Dr. Esmeralda Kromidha dhe Rektori i Universitetit të Tiranës Prof. Dr. Artan Hoxha ndanë urimet dhe mesazhet e tyre për studentët dhe bashkëbiseduan me mediat për sfidat dhe objektivat e këtij viti akademik.
Prof. Dr. Esmeralda Kromidha, gjatë fjalës përshëndetëse u shpreh se: “Programet tona ofrojnë mundësi të shumta për t’u zhvilluar si përkthyes, mësues, mediatorë ndërkulturorë dhe specialistë të marrëdhënieve ndërkombëtare. Në fund të vitit të tretë do të zotëroni tri gjuhë të huaja dhe do të keni eksploruar kultura, perspektiva profesionale dhe rrjete bashkëpunimi që do t’ju hapin dyert brenda dhe jashtë vendit.
Shfrytëzoni çdo mundësi që ofron fakulteti dhe bëhuni pjesë e brezit që ndikon në shoqëri dhe në botë.”
“Fakulteti i Gjuhëve të Huaja ka këtë vit një interes më të lartë të regjistrimeve, duke treguar nevojën e tregut për specialistë të kësaj fushe. Sot urojmë të gjithë studentët e rinj që nisin studimet, por edhe ata që vazhdojnë rrugëtimin akademik, një vit të mbushur me dije, sfida dhe arritje. Universiteti i Tiranës mbetet institucioni më i madh dhe më i rëndësishëm i arsimit të lartë në vend dhe synon të edukojë specialistë të aftë, qytetarë të përgjegjshëm dhe profesionistë të përgatitur për tregun kombëtar dhe atë evropian.”, u shpreh në fjalën e tij Rektori Prof. Dr. Artan Hoxha.
Ky vit akademik sjell më shumë mundësi për shkëmbime ndërkombëtare, përfshirë programin Erasmus+ dhe rritjen e diplomave të dyfishta, duke i dhënë studentëve hapësira të reja për karrierë dhe punësim brenda dhe jashtë vendit.
Ndërkohë në përfundim të mirëseardhjes së studentëve Rektori zhvilloi një konferenca për shtyp me mediat ku theksoi interesin e lartë të maturantëve për programet e Universitetit të Tiranës dhe bëri të ditur se:
-Deri tani janë regjistruar 72% e studentëve sipas kuotave të miratuara;
– Ka ende 1289 kuota të lira në disa fakultete, ndërsa në total janë regjistruar 3192 studentë të rinj;
– Fakulteti i Drejtësisë ka aktualisht 50 vende të lira, Fakulteti i Ekonomisë 71 vende të lira, ndërsa disa programe të mësuesisë po mbeten me ritëm më të ulët regjistrimi;
– Studentët që nuk kanë aplikuar në fazat e mëparshme mund të regjistrohen drejtpërdrejt në sekretaritë mësimore nëse ka vende të lira.
Rektori gjithashtu theksoi rëndësinë e edukimit të brezave të rinj si specialistë të aftë për tregun e punës, qytetarë të përgjegjshëm dhe të përgatitur për sfidat e integrimit evropian.
Urojmë të gjithë studentëve një vit të ri akademik të suksesshëm, plot dije dhe arritje të reja!