“Master Ekzekutiv në Kriminologji” në UT, medalje për dy drejtues policie! - UNIVERSITETI I TIRANËS

“Master Ekzekutiv në Kriminologji” në UT, medalje për dy drejtues policie!

Dy drejtues policie, të cilët kanë ndjekur programin “Master Ekzekutiv në Kriminologji”, në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, janë vlerësuar me medalje për rezultatet që kanë arritur.

Oliger Torba, me detyrë Zëvendësdrejtor për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, ka marrë certifikatën “Medalje e Artë”, ndërsa Altin Mena, aktualisht Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, mori certifikatën “Student i Shkëlqyer”.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda, vlerësoi kolegët e tij për rezultatet dhe përpjekjet e shumë kolegëve të tjerë që, krahas Akademisë së Sigurisë, thellojnë formimin e tyre profesional.

Në një ceremoni të organizuar në mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, mori pjesë edhe Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, i cili së bashku me kreun e policisë shqiptare u dorëzuan certifikatat zyrtarëve të policisë, të diplomuar në programin “Master Ekzekutiv në Kriminologji”.

Rektori i UT-së vlerësoi rolin e arsimit, si një urë lidhëse e të gjithë shoqërisë. “Dy drejtues policie, të cilët kanë ndjekur programin, njëri është vlerësuar me medalje ari, tjetri është vlerësuar me medaljen e argjendit në programin e studimit Master në Kriminologji. I bëjnë nder vetes, i bëjnë nder institucionit dhe Policisë së Shtetit, por njëkohësisht i bëjnë nder edhe Universitetit të Tiranës – theksoi rektori i Universitetit të Tiranës. – Ajo që dua t’ju them si një punonjës i vjetër në drejtësi dhe i ri në arsim, është që të ruani me dinjitet uniformën tuaj, bëni detyrën siç duhet dhe respektin e keni edhe atëherë kur nuk duket. Sepse njerëzit, kur janë në nevojë, thonë “polici”, e kanë sharë dy minuta më përpara, por ky është funksioni që ju keni”.

Kryekomisar Oliger Torba dhe Drejtues Altin Mena, shprehën falënderimet për drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe Universitetin e Tiranës, për hapësirën dhe mbështetjen që u jepet anëtarëve të policisë për të vijuar arsimin dhe rritjen e shkallës së tyre profesionale.

 

Uni Education by Shark Themes