Universiteti i Tiranës mirëpret Presidentin e Shoqatës Botërore të Juristëve
Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, mirëpriti sot në ambientet e Rektoratit z. Javier Cremades García, President i Shoqatës Botërore të Juristëve (World Jurist Association).
Ky takim pason Kongresin e Shoqatës, mbajtur më 4–7 maj 2025 në Santo Domingo të Republikës Dominikane, ku u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e drejtësisë dhe edukimit juridik.
Gjatë diskutimeve u trajtua roli thelbësor që Universiteti i Tiranës ka në zhvillimin e arsimit juridik në rajon, si dhe kontributi që mund të japë në iniciativat ndërkombëtare të Shoqatës. Takimi shërbeu për të forcuar më tej bashkëpunimin institucional. Kongresi Botëror i Ligjit, i cili është vendosur të mbahet në Tiranë në vitin 2027, pritet të sjellë në kryeqytetin shqiptar rreth 3 mijë juristë nga gjykatat supreme dhe sistemet gjyqësore të shumë vendeve të botës.
Universiteti i Tiranës ka një rol kyç dhe të pazëvendësueshëm në formimin e juristëve të rinj, duke ofruar një arsim cilësor, të orientuar drejt standardeve ndërkombëtare dhe kërkesave të kohës. Si një institucion i rëndësishëm akademik në rajon, UT kontribuon në përgatitjen e brezave të rinj të profesionistëve të drejtësisë që do të luajnë një rol të rëndësishëm në forcimin e shtetit të së drejtës dhe drejtësisë sociale.
Shoqata Botërore e Juristëve është një rrjet prestigjioz ndërkombëtar, ku marrin pjesë personalitete të shquara të sistemit gjyqësor, akademik dhe politik nga e gjithë bota.
