Përfaqësim dhe kontribut shkencor i Universitetit të Tiranës në CERN – Eksperimenti CMS
Universiteti i Tiranës vijon të forcojë praninë dhe kontributin e tij në kërkimin shkencor ndërkombëtar. Në datat 30 nëntor – 07 dhjetor 2025, Prof. Asoc. Dr. Klaudio Peqini, pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës, realizoi përvojën e tretë kërkimore dhe trajnuese pranë CERN, në kuadër të Eksperimentit CMS (Compact Muon Solenoid), me fokus në nënsistemin e RPC-ve (Resistive Plate Chambers).
Gjatë kësaj vizite, e financuar nga Universiteti i Tiranës, Prof. Peqini përfundoi pjesën e dytë të trajnimit për certifikimin si shifter i sistemit CMS RPC në dhomën qendrore të kontrollit në P5 (Cessy, Francë), si dhe vijoi punën shkencore në laboratorët e grupit RPC në Prévessin (B.904). Trajnimi përfshiu edhe përfundimin me sukses të kursit të detyrueshëm të sigurisë Self-Rescue Mask, i nevojshëm për akses në kavernën eksperimentale të LHC-së.
Një nga rezultatet më të rëndësishme shkencore të kësaj periudhe ishte zhvillimi i një algoritmi të ri për llogaritjen e eficiencës lokale të kamerave RPC, rezultatet e të cilit tregojnë përputhje shumë të mirë me metodat standarde ekzistuese. Kjo punë hap rrugën për nisjen e një doktorature të re dhe për vijimin e botimeve shkencore në bashkëpunim me grupin ndërkombëtar të RPC-ve.
Gjithashtu, gjatë kësaj vizite u konsolidua kontributi i grupit CMS-Albania UT-UPT, i cili tashmë ka realizuar publikimin e parë shkencor në kuadër të bashkëpunimit me Eksperimentin CMS, duke shënuar një arritje të rëndësishme për Universitetin e Tiranës në fushën e fizikës së energjive të larta.
Universiteti i Tiranës mbetet i angazhuar në mbështetjen e kërkimit shkencor cilësor dhe në përfshirjen aktive të stafit akademik dhe të studiuesve të rinj në projekte prestigjioze ndërkombëtare, si CERN dhe Eksperimenti CMS.
