Sot u mbajt mbledhja e rradhës së Konferencës së Rektorëve të Institucioneve të Arsimit të Lartë.
Me ftesën e Kryetarit të Konferencës, Prof. Dr. Artan Hoxha, të pranishëm në mbledhje ishin edhe Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Z. Edi Rama, dhe Ministri i Arsimit, Znj. Mirela Kumbaro, duke konfirmuar vëmendjen e drejtpërdrejtë të nivelit më të lartë politik ndaj arsimit të lartë si një prioritet strategjik për transformimin ekonomik, shoqëror dhe kulturor të vendit.
Kryetari, Prof. Dr. Artan Hoxha, njëkohësisht Rektor i Universitetit të Tiranës, theksoi rolin themelor të kësaj Konference si një platformë kombëtare dialogu, përfaqësimi dhe bashkërendimi të politikave në fushën e arsimit të lartë. Ai nënvizoi se universitetet janë institucione kyçe të interesit publik dhe se arsimi i lartë nuk përbën një barrë financiare, por një investim strategjik afatgjatë në kapitalin njerëzor, dijen, inovacionin dhe konkurrueshmërinë e Shqipërisë.
Ministrja e Arsimit, Znj. Mirela Kumbaro, theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit institucional dhe të rolit aktiv të universiteteve në procesin e rishikimit dhe përmirësimit të kuadrit ligjor sektorial, në funksion të rritjes së cilësisë, autonomisë dhe ndërkombëtarizimit të sistemit universitar.
Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama, vlerësoi bashkëpunimin e ndërtuar ndërmjet qeverisë dhe institucioneve të arsimit të lartë, si dhe kontributin e Konferencës së Rektorëve në adresimin e sfidave strukturore të sektorit. Ai theksoi tre prioritete strategjike për fazën e ardhshme të zhvillimit të arsimit të lartë: përmirësimin dhe modernizimin e ligjit të arsimit të lartë, ndërkombëtarizimin e universiteteve shqiptare dhe ristrukturimin e infrastrukturës universitare sipas standardeve bashkëkohore. Në këtë kontekst, Kryeministri vuri në dukje shembullin e mirë të Universitetit të Tiranës, që është në krye të një vargu universitetesh që kanë rritur ndjeshëm kapacitetet e tyre financuese përtej mbështetjes nga buxheti i shtetit.
