Universiteti i Tiranës drejt një roli rajonal në formimin e interpretëve!
Në një takim të zhvilluar në Rektorat, Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, priti Zëvendës Drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Interpretimit të Komisionit Evropian, Z. Colin Scicluna, ku u diskutua një vizion ambicioz për të ardhmen e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja.
Diskutimet u përqendruan në transformimin e Universitetit të Tiranës në një qendër rajonale për Ballkanin Perëndimor në fushën e përkthimit dhe interpretimit, përmes programeve të avancuara, shkollave verore dhe përfshirjes së drejtpërdrejtë të ekspertëve evropianë.
Një element kyç ishte ideja për ngritjen e një “Qendre Ekselence”, e cila do të kombinojë infrastrukturën moderne, kërkimin shkencor dhe trajnimin profesional sipas standardeve të Bashkimit Evropian.
Takimi vuri theksin gjithashtu në ndërlidhjen me tregun evropian të punës, përgatitjen e studentëve për proceset reale të rekrutimit dhe rritjen e pranisë së gjuhës shqipe në institucionet ndërkombëtare.
Ky bashkëpunim synon të ndërtojë një platformë të qëndrueshme zhvillimi 5–10 vjeçar, duke e pozicionuar Universitetin e Tiranës si një aktor të rëndësishëm në hartën akademike evropiane.
