Pesë personalitete nderohen me titullin “Doctor Honoris Causa”!  - UNIVERSITETI I TIRANËS

Pesë personalitete nderohen me titullin “Doctor Honoris Causa”! 

Në datat 6–7 maj 2026, Tirana u përzgjodh për të pritur sesionin hapës të World Law Congress (Kongresi Botëror i Ligjit), një nga forumet më të rëndësishme globale në fushën e së drejtës dhe institucioneve demokratike. Në këtë kontekst u zhvillua një ceremoni e përbashkët solemne, gjatë së cilës katër universitete shqiptare, Universiteti i Tiranës, Universiteti Politeknik i Tiranës, Universiteti i Arteve dhe Universiteti Mesdhetar, akorduan titullin Doctor Honoris Causa për pesë personalitete të shquara ndërkombëtare. 
 
Ky akt i përbashkët institucional përfaqëson një moment të rëndësishëm reflektimi mbi rolin e arsimit të lartë në shoqëri. Siç theksoi Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, njëkohësisht Kryetar i Konferencës së Rektorëve, kjo nismë shpreh një përgjegjësi të qartë akademike: njohjen dhe promovimin e modeleve intelektuale që kontribuojnë në forcimin e institucioneve dhe konsolidimin e vlerave demokratike. Universitetet, në këtë kuptim, nuk janë vetëm bartëse të dijes, por edhe garantuese të parimeve mbi të cilat ndërtohet një shtet modern. 
 
Personalitetet e nderuara, Javier Cremades, Ricardo Hausmann, José Luis Manzano, Andi Hoxhaj dhe José Manuel Ciria, përfaqësojnë fusha të ndryshme si drejtësia, ekonomia, politikat publike, akademia dhe arti. Megjithatë, ajo që i bashkon është kontributi i tyre i qëndrueshëm në promovimin e vlerave shkencore, ligjore dhe humane, të cilat përbëjnë themelin e shoqërive demokratike bashkëkohore. 
 
Në mënyrë të veçantë, Universiteti i Tiranës nderoi me këtë titull dy figura të shquara: juristin spanjoll Javier Cremades García, President i World Jurist Association, i njohur për angazhimin e tij në mbrojtje të shtetit të së drejtës dhe lirive themelore, si dhe Prof. Dr. Ricardo Hausmann, ekonomist me reputacion ndërkombëtar dhe Drejtor i Harvard Growth Lab në Shkollën Kennedy të Harvardit. Kontributi i tij në hartimin e strategjive të zhvillimit ekonomik në mbi 30 vende, përfshirë edhe Shqipërinë, përbën një referencë të rëndësishme në politikat moderne të zhvillimit. 
 
Gjatë ceremonisë, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vlerësoi figurën e Hausmann jo vetëm si akademik të shquar, por edhe si një mentor dhe vizionar, i cili ka kontribuar në nxitjen e një kulture të re mendimi mbi zhvillimin dhe të ardhmen. Në fjalën e tij, ai theksoi rëndësinë e besimit në potencialin e Shqipërisë dhe në aftësinë për të ndërtuar të ardhmen përmes ideve, vizionit dhe angazhimit të përbashkët. 
 
Ky aktivitet shënon jo vetëm një moment ceremonial, por edhe një afirmim të rolit të universiteteve shqiptare si aktorë aktivë në dialogun akademik dhe institucional ndërkombëtar.

Uni Education by Shark Themes