Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, priti në një takim zyrtar delegacionin e Universitetit të Tuscia-s, Itali, të përbërë nga:
• Prof. Tiziana Laureti, Rektore e Universitetit të Tuscia-s;
• Prof. Alessandro Boccolini, Delegat i Rektorit për Programin Erasmus+;
• Prof. Cristian Silvestri, Delegat i Rektorit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare;
• Z. Carlo Contardo, Drejtor i Zyrës së Mobilitetit dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar.
Në takim u diskutua mbi forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit akademik dhe institucional ndërmjet dy universiteteve, me fokus të veçantë në programet ekzistuese të diplomave të dyfishta (Double Degree), si dhe në mundësitë për zhvillimin e iniciativave të reja të përbashkëta.
Në qendër të diskutimit ishte programi i përbashkët Bachelor në “Shkenca Natyrore Mjedisore” pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës të UT-së, i cili përfaqëson një nga gurthemelet e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve dhe u ofron studentëve mundësinë e përfitimit të një diplome të dyfishtë të njohur në Shqipëri, Itali dhe në hapësirën evropiane.
Gjithashtu, u diskutua mbi fillimin e zbatimit të marrëveshjes së nënshkruar për Diplomën e Dyfishtë Bachelor në “Lettere Moderne / Gjuhë dhe Kulturë Italiane” ndërmjet Departamentit të Gjuhës Italiane të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të UT-së dhe Universitetit të Tuscia-s, me fokus të veçantë në organizimin e mobilitetit dhe dërgimin e studentëve në kuadër të këtij programi të përbashkët studimi.
Palët diskutuan gjithashtu për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të reja me interes të përbashkët, ndër të tjera në biologjinë detare, drejtësi dhe iniciativa të tjera akademike e kërkimore, përfshirë edhe mundësinë e zhvillimit të projektit “Unitus Hub”.
Universiteti i Tiranës dhe Universiteti i Tuscia-s shprehën angazhimin e tyre për të intensifikuar bashkëpunimin në arsimin e lartë, kërkimin shkencor dhe ndërkombëtarizimin e mëtejshëm të institucioneve.
Në takim, Rektori Prof. Dr. Artan Hoxha u shoqërua nga Dr. Erida Elmazi, Drejtore e Drejtorisë së Kërkimit Shkencor, Projekteve dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Tiranës.
