Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, zhvilloi një takim me Ambasadoren e Greqisë në Shqipëri, znj. Lambrini Komini, ku u diskutuan mundësitë për forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Tiranës dhe universiteteve e qendrave kërkimore të Greqisë.
Universiteti i Tiranës, si institucioni më i madh dhe më i vjetër i arsimit të lartë në vend, ka ndërtuar ndër vite partneritete tradicionale dhe bashkëkohore me universitetet dhe qendrat kërkimore më në zë të Greqisë. Këto raporte nuk kufizohen vetëm në shkëmbime akademike, por shtrihen në projekte të përbashkëta evropiane dhe nisma që kontribuojnë drejtpërdrejt në hapësirën e përbashkët evropiane të arsimit të lartë.
Në fokus të diskutimeve ishin:
▫️Mundësia e mbështetjes institucionale për krijimin e programeve të përbashkëta të studimit dhe diplomave të dyfishta ndërmjet Universitetit të Tiranës dhe universiteteve publike në Greqi (veçanërisht në fusha si ekonomia, drejtësia apo shkencat sociale), duke parë rolin lehtësues që mund të luajë ambasada në afrimin e kontakteve direkte;
▫️Zgjerimi i Bashkëpunimit në Projekte Kërkimore dhe Fonde Ndërkufitare në kuadër të rritjes së aplikimeve në thirrjet e Bashkimit Evropian, programet e bashkëpunimit rajonal (Interreg), si dhe nismat e përbashkëta kërkimore në fushën e inovacionit, mjedisit dhe trashëgimisë kulturore;
▫️Mundësia e zgjerimit të mundësive të mobilitetit përmes Erasmus+ dhe shfrytëzimin sa më efikas të bursave bilaterale të qeverisë greke për studentët, hulumtuesit dhe doktorantët e UT-së, duke adresuar njëkohësisht edhe lehtësimin e procedurave administrative;
▫️Bashkëpunim edhe më i ngushtë midis departamenteve të gjuhës dhe letërsisë greke, përmes shkëmbimit të literaturës, lektorëve vizitorë dhe organizimit të simpoziumeve të përbashkëta shkencore që shërbejnë si ura të fuqishme të dialogut ndërkulturor;
▫️Një nismë pozitive mund të ishte ngritja e forumi të përbashkët të Konferenës së Rektorëve të të dyja vendeve me mbështetjen e ambasadës, me qëllim shkëmbimin e praktikave më të mira në qeverisjen universitare, digjitalizim dhe adresimin e sfidave të përbashkëta të arsimit të lartë në rajon.
Ky takim konfirmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe angazhimin e Universitetit të Tiranës për zgjerimin e partneriteteve ndërkombëtare, në funksion të zhvillimit të arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik.

