Universiteti i Tiranës mori pjesë në Forumin Strategjik të Bashkëpunimit Ballkanik, të zhvilluar në Tiranë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve shqiptare dhe greke, me fokus forcimin e partneritetit strategjik dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fusha të ndryshme, përfshirë arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor.
Në kuadër të Forumit, një seksion i veçantë iu kushtua bashkëpunimit akademik dhe ndëruniversitar ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, ku u theksua rëndësia e forcimit të partneriteteve institucionale, ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë, mobilitetit akademik dhe zhvillimit të projekteve të përbashkëta kërkimore.
Në këtë takim, Universiteti i Tiranës u përfaqësua nga:
🔹 Dr. Erida Elmazi, Drejtore e Drejtorisë së Kërkimit Shkencor, Projekteve dhe Marrëdhënieve me Jashtë;
🔹 Prof. Dr. Çlirim Duro, Drejtor i Drejtorisë së Kurrikulës dhe Sigurimit të Cilësisë;
🔹 Prof. Dr. Sofia Delijorgji, Përgjegjëse e Departamentit të Gjuhës Greke.
Universiteti i Tiranës ka ndërtuar ndër vite një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe të konsoliduar me universitetet greke, përmes marrëveshjeve bilaterale dhe ndërinstitucionale në kuadër të programit Erasmus+, të cilat kanë mundësuar shkëmbime akademike, mobilitete të studentëve dhe stafit, si dhe zhvillimin e iniciativave të përbashkëta.
Ndër partnerët akademikë të Universitetit të Tiranës në Greqi përfshihen Universiteti Aristotel i Selanikut, Universiteti Kombëtar dhe Kapodistrian i Athinës, Universiteti i Janinës, Universiteti Democritus i Thrakës, Universiteti Ionian, Universiteti i Pireut, si dhe institucione të tjera të arsimit të lartë.
Përtej mobilitetit akademik, bashkëpunimi është shtrirë edhe në projekte europiane, iniciativa kërkimore dhe aktivitete të përbashkëta shkencore, duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin institucional dhe forcimin e lidhjeve ndëruniversitare.
Pjesëmarrja në këtë forum shërbeu si një mundësi për të riafirmuar rëndësinë e bashkëpunimit akademik shqiptaro-grek dhe për të nxitur zgjerimin e tij drejt programeve të përbashkëta të studimit, kërkimit shkencor, inovacionit dhe pjesëmarrjes në programe europiane.
🌍 Universiteti i Tiranës vijon angazhimin e tij për forcimin e partneriteteve ndërkombëtare dhe promovimin e bashkëpunimit akademik si një instrument i rëndësishëm për zhvillimin e arsimit të lartë dhe integrimin europian.




