the European Union
Projekti Erasmus+ EU-GaNoM përmbyll me sukses aktivitetet: Universiteti i Tiranës kontribuon në zhvillimin e kapaciteteve për menaxhimin e projekteve evropiane
Sot, më 31 tetor 2026, përfundon zyrtarisht projekti EU-GaNoM – EU Grant advisors Network of Multipliers, i financuar nga programi Erasmus+ i Bashkimit Evropian, në të cilin Universiteti i Tiranës ka marrë pjesë si institucion partner.
Projekti, i zbatuar gjatë periudhës 1 nëntor 2024 – 31 tetor 2026, u koordinua nga Nantes Université, Francë, në bashkëpunim me Linnaeus University (Suedi), University of Murcia (Spanjë), University of Tirana (Shqipëri), University of Crete (Greqi) dhe Taras Shevchenko National University of Kyiv (Ukrainë).
EU-GaNoM kishte si objektiv kryesor forcimin e kapaciteteve të institucioneve të arsimit të lartë për zhvillimin dhe menaxhimin e projekteve evropiane, përmes trajnimit të personelit administrativ, specialistëve të projekteve dhe këshilltarëve për financimet evropiane, si dhe promovimit të bashkëpunimit ndërmjet universiteteve partnere.
Rezultatet kryesore të projektit
Gjatë dy viteve të zbatimit, konsorciumi realizoi një sërë aktivitetesh dhe zhvilloi produkte konkrete, të cilat synojnë të mbështesin institucionet e arsimit të lartë në përmirësimin e praktikave të tyre për zhvillimin dhe menaxhimin e projekteve ndërkombëtare.
Një nga rezultatet kryesore ishte zhvillimi i modelit Staff Training Week, një metodologji e strukturuar për organizimin e trajnimeve të personelit universitar, e cila ndërthur mësimin online, aktivitetet në prani, punën praktike dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet kolegëve. Modeli u testua përmes dy javëve të trajnimit, të organizuara në Kalmar, Suedi, në qershor 2025, dhe në Murcia, Spanjë, në prill 2026.
Një tjetër rezultat i rëndësishëm ishte zhvillimi i materialeve trajnuese për personelin administrativ dhe specialistët e projekteve, të fokusuara në përgatitjen e projektpropozimeve, menaxhimin financiar, menaxhimin e risqeve, planifikimin e ndikimit dhe qëndrueshmërinë e rezultateve. Materialet u konceptuan për të mbështetur zhvillimin profesional dhe për të mundësuar përdorimin e tyre në aktivitete të ardhshme trajnuese.
Projekti kontribuoi gjithashtu në krijimin e burimeve digjitale dhe instrumenteve praktike, përfshirë udhëzues, materiale pedagogjike dhe formate të ripërdorshme për organizimin e trajnimeve. Një vëmendje e veçantë iu kushtua mundësisë së përshtatjes dhe transferimit të këtyre rezultateve në institucione të tjera të arsimit të lartë.
Në fushën e komunikimit dhe shpërndarjes së rezultateve, konsorciumi zhvilloi aktivitete promovuese, materiale informuese, prezantime dhe publikime, duke kontribuar në rritjen e dukshmërisë së projektit dhe në informimin e komunitetit universitar mbi mundësitë e zhvillimit profesional dhe bashkëpunimit evropian.
Kontributi i Universitetit të Tiranës
Si partner i projektit, Universiteti i Tiranës u angazhua në aktivitetet e përbashkëta të konsorciumit, në proceset e trajnimit dhe shkëmbimit të praktikave, në zhvillimin dhe promovimin e rezultateve, si dhe në aktivitetet e komunikimit dhe shpërndarjes së informacionit mbi projektin.
Pjesëmarrja e personelit drejtues, akademik dhe administrativ të UT-së në aktivitetet e EU-GaNoM krijoi mundësi për forcimin e kompetencave profesionale dhe shkëmbimin e përvojave me institucione të tjera evropiane, veçanërisht në fushën e kërkimit shkencor, projekteve dhe marrëdhënieve me jashtë.
Një kontribut i rëndësishëm i Universitetit të Tiranës lidhej edhe me promovimin e projektit dhe rezultateve të tij përmes kanaleve të komunikimit, përgatitjes së materialeve informuese dhe mbështetjes së aktiviteteve të shpërndarjes së rezultateve.
Qëndrueshmëria e rezultateve dhe bashkëpunimi i ardhshëm
Një nga objektivat e rëndësishëm të EU-GaNoM ishte sigurimi i përdorimit të rezultateve edhe pas përfundimit të periudhës së financimit. Modeli i trajnimit, materialet pedagogjike dhe burimet e zhvilluara në kuadër të projektit krijojnë mundësi për organizimin e aktiviteteve të reja të ngritjes së kapaciteteve, transferimin e njohurive te personeli universitar dhe përmirësimin e praktikave institucionale në menaxhimin e projekteve evropiane.
Për Universitetin e Tiranës, këto rezultate përbëjnë një bazë të vlefshme për mbështetjen e zhvillimit profesional të personelit, forcimin e kapaciteteve për pjesëmarrje në programet Erasmus+ dhe Horizon Europe, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit me universitetet dhe rrjetet evropiane.
Përfundimi i projektit EU-GaNoM shënon realizimin e një partneriteti të rëndësishëm evropian, rezultatet e të cilit mund të vijojnë të përdoren dhe të përshtaten në të ardhmen, duke mbështetur objektivat e Universitetit të Tiranës për zhvillimin e kërkimit shkencor, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe ndërkombëtarizimin.
Për më shumë informacion mbi rezultatet dhe materialet e projektit:
https://euganom.eu/project-results/
Materialet dhe udhëzuesit për organizimin e Staff Training Week:
https://euganom.eu/staff-week-course/
Faqja zyrtare e projektit:
https://euganom.eu/
