Titulli: BIMËT E RRALLA DHE ENDEMIKE TË ZONËS SUBALPINE DHE ALPINE TË QARQEVE BERAT DHE KORÇË, EKOLOGJIA, PËRHAPJA DHE RUAJTJA E TYRE
Autori: Donald SHUKA
Institucioni: Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Departamenti i Biologjisë
Fusha e studimit: Shkencat Biologjike
Data e publikimit: 16.11.2026
Disertacioni gjendet i publikuar në Gjuhën Shqipe
© E drejta e autorit: Donald SHUKA
Publikuar nga Universiteti i Tiranës
Bazuar në aktet ligjore, rregulloreve dhe politikave të UT-ës.
👉 Klikoni këtu për të parë disertacionin e plotë (PDF)
PARATHËNIE
Bimët e rralla, endemike dhe ato subendemike në një ekosistem ose habitat natyror janë tregues i rëndësishëm i historisë evolutive të mjedisit natyror, i marrëdhënieve të vendosura midis vetë bimëve, midis bimëve dhe gjallesave të tjera dhe bimëve me mjedisin rrethues, për pasojë ato janë “pasqyrë” e vetë shëndetit dhe ardhmërisë së habitatit ose ekosistemit natyror.
Duke qenë se mjedisi i rritjes së bimëve nuk ka qenë dhe nuk do të jetë si e njohim ne sot, njohja e tij dhe e bimëve si hallka e parë e zinxhirit ushqimor për gjallesat e tjera, bashkë me shkaqet e rrezikimit të tyre, përbën një detyrë thelbësore për të kuptuar ardhmërinë e mjedisit dhe për të parandaluar përkeqësimin e tij.
Për shkak të sipërfaqes së vogël të territorit (28748 km2) dhe pozicionimit përgjatë brigjeve të detit Jon dhe Adriatik, pjesë e Mesdheut, Shqipëria përfshihet ndër vendet me biodiversitet të pasur, me rreth 4000 specie dhe subspecie (Zeneli et al., 2014; Lack & Barina, 2020) ose rreth 3650 specie bimore (Shuka et al., 2025a).
Pavarësisht treguesit të larmisë së lartë bimore (Rakaj et al., 2013; Barina, 2018), numri i ulët i specieve endemike dhe subendemike të regjistruara, respektivisht me rreth 68 dhe 120 taksa (Shuka et al., 2026), tregon për një mospërputhje të lartë midis numrit të specieve në përgjithësi dhe specieve endemike dhe subendemike në veçanti të regjistruara deri tani në Shqipëri.
Njohja e specieve të rralla dhe të rrezikuara, i ekologjisë dhe habitatit të rritjes, si dhe madhësisë dhe dinamikës së popullatave të bimëve endemike dhe të rralla bashkë me faktorët e ruajtjes dhe rrezikimit të tyre në habitatin natyror përbën një domozdoshmëri jo vetëm shkencore por edhe për të përpunuar politikat mbrojtëse në kushtet e zhvillimit të një turizmi të shpejt dhe masiv.
Në kushtet e ngrohjes globale, prirja e lëvizjes më në lartësi e specieve vendase ose invazive dhe pushtimit të habitatit të specieve në këtë mjedis prej atyre invazive, kanë krijuar gjithashtu kushte jo të favorshme për rritjen ose mbijetesën e tyre duke zvogëluar njëkohësisht jo vetëm mbulesën e tyre bimore, por reduktojnë edhe sipërfaqen e përhapjes së popullatave të tyre dhe përkeqësojnë statusin e tyre të ruajtjes.
Për sa më sipër dhe njëkohësisht për të qartësuar pozicionin sistematik të disa specieve të dyshimta si dhe për të provuar hipotezën e mundësisë së prezencës në vendin tonë të një numri më të madh të specieve subendemike dhe endemike, u mor nën studim zona subalpine dhe alpine që ndodhet midis qarqeve të Beratit dhe Korçës, si brezi më i gjerë gjeografik i territorit të vendit tonë dhe njëkohësisht si territor i cili ndodhet midis vijës ndarëse vertikale dhe horizonale të dy rajoneve biogjeografike, atij mesdhetar dhe alpin. Duke qenë se territori i marrë në studim është mjaft i gjerë, teza e këtij studimi është fokusuar më në detaje brenda larmisë së gjinive Crocus L., Centaurea L., Campanula L., Dianthus L. apo Heliosperma (Rchb.) Rchb.
