Universiteti i Tiranës dhe Kuvendi i Republikës së Shqipërisë nënshkruan një memorandum bashkëpunimi ditën e martë, datë 13.12.2016 në orën 11.00 në Sallën e Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës.
Ky memorandumi bashkëpunimi u nënshkrua nga Prof. Dr. Mynyr Koni, Rektor i Universitetit të Tiranës dhe Z.Ilir Meta, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.
Memorandumi ka si qëllim promovimin e punës kërkimore –shkencore dhe të mendimit analitik në funksion të demokracisë parlamentare, rritjen e perceptimit dhe të kapaciteteve të studentëve mbi parlamentarizmin, përmirësimin e perceptimit publik dhe të njohjes më të mirë të funksioneve të Kuvendit të Shqipërisë si dhe mbështetjen e institucioneve arsimore në përmbushje të funksioneve të tyre në kuadër të zbatimit të legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë. Në fjalën e tij, Rektori tha se falë kësaj marrëveshjeje, Universiteti i Tiranës do të bashkëpunojë me Kuvendin e Shqipërisë për organizimin e konferencave, seminareve dhe veprimtarive të tjera të këtij lloji për çështje me interes publik, reforma të rëndësishme, projektligje, të cilat kërkojnë konsultim të gjerë, etj.
Gjithashtu, ai shprehu bindjen e tij të plotë, se punimet dhe kërkimet shkencore, të realizuara nga stafi akademik apo edhe studentët, do të shërbejnë si një mundësi më tepër në mënyrë që ligjvënësit në Kuvendin e Shqipërisë, të bazojnë vendimmarrjen e tyre mbi analiza dhe punime konkrete.