TIRANË, 07/09/2016 – Rektori i Universitetit të Tiranës Prof. Dr. Mynyr Koni priti në një takim në mjediset e Rektoratit Ambasadorin e Shtetit të Kuvajtit, Z. Fayez Mishari M. Al-Jassim. Në këtë takim morën pjesë edhe Zv. Rektori Prof. Dr. Shezai Rrokaj si edhe Zv. Ambasadori i Shtetit të Kuvajtit Z. Saud Mansour Al-Mutairi.
Gjatë takimit, Prof. Dr. Mynyr Koni falenderoi Ambasadorin për këtë vizitë si një tregues shumë i mirë i vazhdimësisë së baashkëpunimit midis Republikës së Shqipërisë dhe Shtetit të Kuvajtit. Rektori i Universitetit të Tiranës e theksoi gjatë takimit se ky bashkëpunim i frytshëm midis të dyja vendeve duhet të shtrihet edhe në fushën e arsimit të lartë.
Në këtë kuadër, Prof. Dr. Mynyr Koni Koni e informoi Ambasadorin Al-Jassim rreth çështjeve dhe aspekteve të arsimit të lartë në Shqipëri dhe disa nga fushat specifike ku mund të ketë një bashkëpunim të suksesshëm në kërkimet shkencore të përbashkëta midis Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Kuvajtit. Gjatë diskutimit të tyre, ata evidentuan faktin se midis të dyja universiteteve ka shumë mundësi për bashkëpunim duke filluar me shkëmbimet e studentëve në ciklin e dytë dhe të tretë si dhe stafit akademik si edhe morën angazhimin për të hedhur hapa konkret në këtë drejtim.
Nga ana e tij, Ambasadori i Shtetit të Kuvajtit në Tiranë Z. Fayez Mishari M. Al-Jassim theksoi gatishmërinë e tij për të mundësuar dhe lehtësuar bashkëpunimin midis Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Kuvajtit si edhe e ftoi Rektorin e Universitetit të Tiranës për një vizitë zyrtare në Shtetin e Kuvajtit për të diskutuar rreth mundësisë së arritjes së një marreveshjeje bashkëpunimi me Universitetin e Kuvajtit