Prof. Dr. Mynyr Koni i uroi suksese dekanit të ri të zgjedhur nga procesi zgjedhor, Prof. Dr. Artur Sula për detyrën e re në drejtimin e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Rektori falenderoi gjithashtu kontributin dhe punën e drejtuesve të kaluar në zhvillimin e fakultetit.
Rektori i UT u shpreh se këtë moment arsimi i lartë përballet me shumë sfida dhe në veçanti Universiteti i Tiranës, si një universitet lider në Republikën e Shqipërisë, i cili ka dhënë një kontribut të vazhdueshëm dhe në rritje, duke u shndërruar në një pikë reference mbi standardet akademike dhe cilësisë së studentëve për të gjithë institucionet e arsimit të lartë.
Në vazhdimësi, Prof. Dr. Mynyr Koni u shpreh: “Një nga sfidat me të cilat përballet universiteti sot është reformimi i akteve statutore, si statuti dhe rregullorja e universitetit, për të qenë së pari në përputhje me ndryshimet ligjore dhe së dyti, në përshtatje me vetë zhvillimet që ka universiteti duke u bazuar dhe tek përvoja jonë. Ky do të jetë një proces gjithëpërfshirës, i cili do të prodhojë dokumenta në përputhje me nevojat dhe zhvillimet që ka Universiteti i Tiranës”
Dekani i ri i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja falenderoi dhe uroi njëkohësisht rektorin e ri në detyrën e tij në drejtimin e univeristetit më të madh në vend. Prof. Dr. Artur Sula, e konsideroi këtë moment si shumë të rëndësishëm në karrierën e tij akademike e profesionale, duke uruar një bashkëpunim sa më të frytshëm me strukturat e Universitetit të Tiranës dhe gjithe stafin e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja.