Business trip - UNIVERSITETI I TIRANËS

Business trip

Në kuadër të Javës Globale të Sipërmarrjes, Universiteti i Tiranës në bashkëpunim me Zyrën e Karrierës më datë 20 Tetor 2015 ora 10:00 organizuan aktivitetin “Business Trip” në godinën e Coca-Cola Albania. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte që të familjarizonte studentët me funksionimin e kompanisë.

Kompania Coca-Cola i dha mundësinë studentëve të Universitetit të Tiranës që të njihen me historin e krijimit të markës më të njohur në botë, makineritë dhe llojet e ndryshme të pijeve që kjo kompani prodhon.

Studentët drejtuan pyetje të ndryshme në kuadër të kuriozitetit që kishin për këtë pije. Ky aktivitet ishte edhe shumë argëtues fal publiciteteve të ndryshme që kompania ofroi si dhe pijet e ndryshme që studentët provuan. Prezantimi i kompanisë u bë i mundur nga z. Anis Brahimi, Menaxher Trajnimi.

Intersig:

Aktiviteti u zhvillua ditën e premte më datë 20.11.2015 në orën 13:30 në ambjentet e Kompanisë Intersig, ku morën pjesë dhjetra studentë nga Fakultetet e Universitetit të Tiranës.

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte që studentët të njihnin më nga afër kompaninë, të bashkëbisedonin me përfaqësuesit e kompanisë në mënyrë që të ndërthurnin konceptet teorike me aplikimin e tyre në një nga kompanitë më të shquara në treg.

Studentët u pritën nga anëtari i Bordit Drejtues të kompanisë Intersig, Z.Fatmir Berdica. Ata patën mundësinë të njiheshin jo vetëm mbi historikun e krijimit të kompanisë, por edhe se si ajo operon sot në treg. Gjatë sesionit informues, studentët drejtuan pyetje rreth kompanisë, filozofisë së drejtimit dhe çështjeve të tjera që ngjallën interes tek ata.

Z. Berdica e vlerësoi interesin dhe pyetjet e shumta të studentëve duke u munduar t’i përgjigjej çdo paqartësie që ata kishin. Në përfundim të aktivitetit, studentët e vlerësuan pozitivisht këtë eksperiencë duke qenë se patën mundësi të merrnin informacione më konkrete mbi njohuritë e mësuara në teori.

Deloitte:

Të pranishëm në këtë vizitë ishin 10 studentë të Fakultetit të EKonomisë. Ata u pritën nga drejtoresha e burimeve njerëzore, Znj. Rolanda Duro.

Ata patën mundësinë për të parë nga afër të gjitha ambientet funksionale të kësaj kompanie. Të vizitonin të gjitha departamentet dhe specialistët e tyre, duke i drejtuar pyetje të drejtëpërdrejta mbi specifika të punës dhe kompanisë së tyre. Studentët patën mundësinë të zhvillonin një seancë tepër motivuese për objektivat e tyre në karrierë dhe në ndërmarrjen e iniciativave investuese.

Kjo vizitë zgjati rreth dy ore, dhe në përmbyllje studentët u ndjenë mjaft të motivuar.