Qendra e Karrierës e Universitetit të Tiranës, në bashkëpunim me studentët, organizoi nismën “Të dhurojmë pak dashuri!”. Kjo nismë kishte si qëllim t’u vinte në ndihmë fëmijëve dhe familjeve në nevojë si dhe të reflektojmë ndaj nevojave të komuniteteve pa mbështetje sociale dhe ekonomike, në mënyrë që askush të mos ndihet i vetmuar në këto ditë festash.
Ky aktivitet u organizua në bashkëpunim me studentët vullnetarë të Qendrës së Karrierës, të cilët ishin pjesë në ideimin, organizimin e kësaj nisme, në mbledhjen dhe shpërndarjen e dhuratave. Gjatë periudhës, 12 – 24 Dhjetor 2014, nismës “Të Dhurojmë pak Dashuri”, ju bashkuan studentë, stafi pedagogjik dhe administrativ i Universitetit të Tiranës duke dhuruar veshje, ushqime, lodra, libra dhe sende të tjera të nevojshme. Numri total i këtyre dhuratave ishte rreth 2000.
Me përfundimin e mbledhjes së dhuratave u vendos që destinacioni i tyre do të ishte tek disa familje në nevojë në Shkodër, Elbasan, komunën Baldushk, Bregu Lumit, shtëpia e fëmijës “Hannah dhe Rozafa” si dhe tek Qendra Komunitare për fëmijë “Eden” (Laknas, Tiranë). Shpërndarja e dhuratave u krye nga përfaqësues të Qendrës së Karrierës dhe nga studentët vullnetarë.
Këto nisma janë pjesë e vlerave dhe përgjegjësisë Sociale të Universitetit të Tiranës, ku studentët dhe stafi solidarizohen në kauza humane.