Më datë 30 shtator 2014, në ambientet e Tirana International Hotel, Universiteti i Tiranës, në kuadër të projektit Pacinno të programit IPA, zhvilloi konferencën ‘‘Inovacioni në Shqipëri, Sfidat dhe Mundësitë’’. Qëllimi i kësaj konference ishte të jepte një vështrim të përgjithshëm mbi gjendjen e inovacionit në Shqipëri, përdorimit të teknologjisë nga bizneset, si dhe mbështetjen që do të japë Universiteti i Tiranës me anë të projektit Pacinno në këtë drejtim. Në konferencë nderuan me pjesëmarrjen e tyre Ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Lindita Nikolla, Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë z. Erion Veliaj, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, z. Nikolin Jaka, koordinatori i Projektit Pacinno Z. Andrea Tracogna, partnerë të projektit nga 8 vende të Adriatikut, të ftuar nga fusha akademike dhe e biznesit, si edhe studentë të përfshirë në iniciativa me karakter inovativ dhe sipërmarrës.
Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Dhori Kule në fjalën e tij përshëndetëse përgëzoi koordinatorët e projektit, Universitetin e Triestes, për iniciativën e tyre në krijimin e konsortiumit me qëllimin madhor për ndërtimin e një platforme të përbashkët për bashkëpunim në fushën e kërkimit dhe inovacionit, që do mbulojë gjithë rajonin e Adriatikut. Prof. Kule shprehu njëkohësisht konsideratat më të larta për përpjekjet e vazhdueshme të partnerëve të projektit në ndërtimin e urave solide të bashkëpunimit midis kërkimit dhe aktiviteteve shkencorenë krijimin e njëekosistemi të ri të transferimit teknologjik dhe inovacionit në përgjithësi.
Në fjalën e tij ai u shpreh se ‘‘Universiteti i Tiranës, në përmbushje të misionit të tij, gjithmonë ka synuar të bëhet pjesë e projekteve të tilla strategjike, me një impakt të gjerë në jetën akademike dhe sferën ekonomike të vendit. Ne, kemi qënë dhe jemi gjithmonë të gatshëm dhe të devotshëm për t’i thënë ‘‘PO’’ bashkëpunimeve të tilla rajonale që synojnë të kapërcejnë barrierat dhe pengesat për të kontribuar në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të vendit.” Prof. Kule nënvizoi se ‘‘Inovacioni luan një rol kyç në zhvillimin ekonomik. Ai përmirëson mënyrën sesi ne zhvillojmë produkte dhe shërbime të reja dhe është çelësi i suksesit në konkurrueshmërinë në tregjet globale.”
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Nikolla dhe Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, z. Veliaj si edhe Kryetari i Dhomës së tregëtisë dhe Industrisë z. Jaka përshëndetën pjesëmarrjen e Universitetit të Tiranës në këtë projekt ambicioz.
Znj. Nikolla në fjalën e saj theksoi ‘‘Universiteti që ne duam, duhet dhe do të jetë epiqendra e zhvillimit ekonomik të vendit, jo vetëm si protagonist në edukimin e brezave nëpërmjet aftësimit, por dhe si epiqendra e inovacionit dhe kërkimit shkencor me impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik e strategjik të vendit. Institucionet e Arsimit të Lartë kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kurrikulave të duhura në mbështetjen dhe inkurajimin e të rinjve për t’u bërë pjesë e iniciativave sipërmarrëse që nxisin inovacionin’’.
Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë në fjalën e tij përshëndetëse përmendi që: “Projekte të tilla si Pacinno janë për t’u përshëndetur pasi ata krijojnë mundësinë e transferimit të dijeve e teknologjive në një kuadër ndër-rajonal si edhe mundësojnë integrimin në projekte të përbashkëta ndër-rajonale. Falë inovacionit, sot teknologjia përparon aq shpejt sa që fantashkenca është kthyer në realitet. Inovacioni mund të jetë rruga më e sigurtë e zhvillimit për një vend si Shqipëria. Mjafton të shohim shembullin e Estonisë, një vend i vogël si ne me një të kaluar të ngjashme me ne, por që ka arritur një zhvillim të madh falë teknologjisë.’’
Në këtë linjë, z. Jaka tha se ‘‘Sistemi i edukimit dhe arsimit janë aktorët thelbësorë për sipërmarrjen private, gjë e cila sjell përmirësim të produktivitetit duke qënë më konkurrentë.’’ Bashkëpunimi ndërmjet grupeve të ndryshme të interesit është i domosdoshëm në krijimin e një ekosistemi, i cili inkurajon inovacionin dhe sipërmarrjet e reja në Shqipëri.
Gjatë kësaj koneference u nxorrën në pah problematikat dhe sfidat e ndryshme, me të cilat përballet vendi ynë në këtë fushë dhe hapat konkretë që po ndërmerren nga institucionet përkatëse. Në këtë kuadër znj. Nikolla theksoi se ‘‘nxjerrja në pah e problematikave dhe sfidave me të cilat përballet vendi ynë në këtë fushë dhe hapat konkretë që po ndërmerren nga institucionet përkatëse janë elementë të rëndësishëm të përmirësimit që mund të bëhet në fushën e inovacionit. “Më vjen mirë që me këtë projekt, Universiteti i Tiranës do të asistojë dhe trajnojë nëpërmjet aktiviteteve që do të organizohen për grupe të ndryshme interesi si: kërkues, biznese, start-up, etj” u shpreh Znj. Nikolla në fjalën e saj.
Në kuadër të projektit Pacinno Universiteti i Tiranës ka filluar punën në realizimin e një studimi mbi inovacionin në Shqipëri dhe krijimin e “Hartës së Sistemit të Inovacionit”. Ky studim është shumë i rëndësishëm, – tha Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Kule, – pasi do të bëjë të mundur që të jepet një ‘‘radiografi’’ e nivelit të inovacionit në kompanitë shqiptare.
Studimi do të konkludojë edhe me krijimin e “Hartës së Sistemit të Inovacionit” për vendin tonë.
Gjithashtu në kuadër të këtij projektit, Universiteti i Tiranës ka ngritur Zyrën e Transferimit të Teknologjisë (TTO), e cila do të shërbejë si një urë lidhëse dhe do të promovojë sipërmarrjet inovative nëpërmjet bashkëpunimit mes aktorëve dhe grupeve të ndryshme të interesit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar