Më datën 23 qershor 2014 në orën 10:00 në Sallën e Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës u organizua Simpoziumi Shkencor Ndëruniversitar mbi “Perspektivën e Marrëdhënieve midis Universitetit të Tiranës dhe Universitetit “Aristoteli” të Selanikut”. Takimin e përshëndetën:
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Znj. Lindita Nikolla, e cila përveç falenderimit për bashkëpunimin akademik midis dy universiteteve, i shprehu mirënjohjen Ambasadorit të Republikës së Greqisë në Tiranë për mbështetjen e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE. Ambasadori i Republikës së Greqisë në Tiranë, Sh. T. Z. Leonidas C. Rokanas shprehu kënaqësinë që merrte pjesë në takim dhe optimizmin e tij për statusin e Shqipërisë si vend kandidat në BE. Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Dhori Kule dhe Rektori i Universitetit “Aristoteli” të Selanikut, Prof. Dr. Yannis Mylopoulos u shprehën entuziastë për simpoziumin dhe për faktin se tani është kaluar në projekte konkrete. Universiteti “Aristoteli” i Selanikut jep leksione në gjuhën shqipe dhe të dy universitetet kanë shumë projekte për kërkimin shkencor dhe inovacionin dhe synojnë të thithin fonde të përbashkëta nga Bashkimi Europian, pasi kërkimi shkencor është baza e zhvillimit dhe thelbi i prezencës në këtë simpozium. Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Prof. Dr. Jorgaq Kaçani dhe Rektori i Universitetit të Arteve, Prof. Dr. Petrit Malaj, shprehën kënaqësinë për ftesën dhe dëshirën për bashkëpunime të mëtejshme me Universitetin “Aristoteli” të Selanikut. Referuan në këtë simpozium rektorë, dekanë dhe profesorë nga të dyja universitetet. Disa nga temat që u referuan ishin:
- Roli i Arsimit në përmirësimin e imazhit të shteteve tona respektive.
- Një eksplorim i bashkëpunimeve potenciale akademike midis UT dhe Universitetit “Aristoteli” të Selanikut.
- Menaxhimi financiar për Industrinë e Turizmit.
- Marrëdhëniet ndërkulturore arsimore: Trajnimi i mësuesve.
- Biodiversiteti dhe pasuria natyrore e zonave ndërkufitare- oportunitetet për bashkëpunim shumëdimensional.
- Menaxhimi i burimeve ujore të pellgjeve lumore ndërkufitare. Perspektiva e bashkëpunimit dhe zhvillimit.
- Kimia analitike, baza e shkencave natyrore arkeologjike.