Re@WBC - UNIVERSITETI I TIRANËS

Re@WBC

Projekti Re@WBC kishte si objektiv kryesor kontributin në rritjen e potencialit kërkimor për kërkuesit shkencorë në universitetet e Ballkanit Perëndimor në përputhje me strategjitë kombëtare dhe ato të Bashkimit Europian. Në përmbushje të këtij objektivi u realizuan aktivitete të ndryshme për të përmirësuar procedurat dhe praktikat për menaxhimin e punonjësve kërkimorë në universitetet partnere.

Një proçes i vazhdueshëm i trajnimit dhe informimit të punonjësve të rinj kërkimorë synonte nxitjen e rritjes profesionale dhe në krijimin e mundësive për ta. Përmbushja e këtij u arrit nëpërmjet një grupi aktesh ligjore universitare në përputhje me menaxhimin e potencialit të punonjësve kërkimorë dhe kërkimit shkencor si dhe një rritje të nivelit profesional të punonjësve kërkimorë nëpërmjet trajnimeve të ndryshme.

Puna u përqëndrua tek:

  • Përmirësimi i politikave dhe praktikave për kërkimin shkencor duke i harmonizuar ato me standartet dhe strategjitë Evropiane për punonjësit kërkimorë;
  • Rritja e zhvillimit të karrierës dhe krijimin e mundësive për kërkuesit shkencorë përmes përmirësimit të aftësive të transferueshme;
  • Nxitja e bashkëpunimit rajonal për të harmonizuar potencialet e punonjësve kërkimorë dhe për ndërgjegjësimin e mëtejshëm ndaj parimeve për kërkimin shkencor.

Për realizimin e synimeve të mësipërme, u ndërmorën një sërë veprimtarish duke nisur nga përgatitja apo përmirësimi i një sërë aktesh nënligjore dhe dokumentave të qenësishëm në lidhje me kërkimin shkencor si dhe nëpërmjet trajnimeve të ndryshme. Trajnimet u realizuan për stafin administrativ, punonjësit kërkimorë si dhe pedagogët e rinj.

Puna tre vjeçare për realizimin e projektit, u nda në 6 paketa, të cilat në vetvete përfshinin një sërë çështjes si:

  • Menaxhimi i universitetit;
  • Krijimi dhe adaptimi i një sërë ligjesh;
  • Trajnime për stafin administrativ dhe atë akademik;
  • Përmirësimi i procedurave për komisionet e etikës;
  • Trajnime për metodologjinë e kërkimit shkencor;
  • Përgatitja e raporteve për cilësinë;
  • Raportime të vazhdueshme gjatë gjithë procesit;
  • Zhvillimi i standarteve, diskutime dhe vlerësime;

Projekti ishte planifikuar të mbyllej në datë 14 Tetor 2018, por u shty deri më 14 Prill 2019, në mënyrë që tu krijohej mundësi disa prej universiteteve që të përmbushnin objektivat e caktuar.

 

Gjatë periudhës 6 mujore u dërguan raporte përkatëse për një sërë objektivash të projektit që lidheshin me procedurat e promovimit akademik, procedurat e këshillit të etikës dhe bashkëpunimin me diasporën shkencore.

 

Në përmbushje të objektivave të projektit në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja filluan procedurat për pilotimin e sistemit të këshillimit të karrierës akademike.

 

Në Janar 2019 u bë dhe prezantimi tek studentët e nivelit Master dhe tek pedagogët e FGJH-së të: “Academic Guidebook for Young Researchers” që është një udhëzues i vlefshëm për kërkuesit e rinj në funksion të punës së tyre kërkimore. Universitetit të Tiranës ju caktua të punojë me kapitullin e gjashtë të tij që lidhet me shkrimin e tezës së doktoraturës. Përveç prezantimit në fakultet ky udhëzues është shpërndarë nëpër fakultetet e tjera të Universitetit të Tiranës për t’u vënë në dispozicion të kërkuesve të rinj.

Në Mars 2019 është dorëzuar dhe raporti i tretë vjetor, ku trajtohen në detaje të gjitha aktivitetet e realizuara dhe produktet e nxjerra në përmbushje të objektivave të projektit.

Raporti përfundimtar nga ana e Universitetit koordinator të Nish-it, është përcjellë në zyrën përkatëse të EACEA –s në Buruksel në Qershor 2019.