Në ambientet e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës u zhvillua mbrëmja e veçantë “Alumni Night”, një aktivitet që mblodhi së bashku breza të ndryshëm.
Nën sloganin “Njëherë FGJH, gjithmonë FGJH”, kjo mbrëmje shërbeu si një rikthim emocional në vendin ku nisi rrugëtimi akademik dhe profesional i shumë prej të ftuarve. Përmes një videoprezantimi me fotografi nga periudha të ndryshme të historisë së fakultetit, pjesëmarrësit patën mundësinë të kujtonin vitet e studimit, jetën studentore, miqësitë dhe përvojat që kanë shënuar formimin e tyre.
Atmosfera u pasurua nga ndarja e kujtimeve, eksperiencave dhe historive frymëzuese të ish-studentëve, të cilët vlerësuan rolin e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në formimin e tyre intelektual dhe profesional, si dhe ndikimin që dijet e marra aty kanë pasur në ndërtimin e karrierës së tyre.
Në shenjë mirënjohjeje dhe respekti, gjatë ceremonisë u nderuan me certifikata personalitete dhe pedagogë që, ndër vite, kanë dhënë një kontribut të çmuar në edukimin dhe formimin e brezave të tërë studentësh.
