Bashkëpunim mes Universitetit të Tiranës dhe Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup - UNIVERSITETI I TIRANËS

Bashkëpunim mes Universitetit të Tiranës dhe Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup

 

Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup dhe Universiteti i Tiranës nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit, duke vendosur themele të reja për partneritet akademik ndërinstitucional.

Memorandumi u nënshkrua nga Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha dhe Rektori i Universitetit “Nënë Tereza”, ndërsa në ceremoni morën pjesë edhe Prof. Dr. Bekim Fetaji, si dhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, z. Denion Meidani. Të pranishëm ishin gjithashtu edhe përfaqësues të Parlamentit Studentor, duke dëshmuar rëndësinë e përfshirjes së studentëve në proceset e bashkëpunimit akademik.

Memorandumi synon zhvillimin e programeve të përbashkëta studimore dhe kërkimore, organizimin e konferencave shkencore, shkëmbimin e përvojave akademike dhe realizimin e projekteve me interes të ndërsjellë për të dy institucionet.

Ky bashkëpunim shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve akademike mes universiteteve shqiptare në rajon dhe promovimit të cilësisë, inovacionit dhe ekselencës në arsimin e lartë.

Universiteti i Tiranës shpreh një vlerësim të veçantë për z. Denion Meidani. Përmes angazhimit të tij të drejtpërdrejtë dhe ndërmjetësimit efektiv, u bë i mundur nënshkrimi i këtij Memorandumi, duke vendosur një bazë të qëndrueshme për bashkëpunim ndërinstitucional. Ky zhvillim nuk përfaqëson vetëm një akt formal, por një hap strategjik drejt ndërtimit të urave të qëndrueshme akademike dhe shkencore ndërmjet dy vendeve. Falë vizionit dhe përkushtimit të tij, krijohen premisa konkrete për zgjerimin e projekteve të përbashkëta, mobilitetin akademik dhe rritjen e cilësisë në arsimin e lartë.

UT e vlerëson këtë kontribut si thelbësor për forcimin e bashkëpunimit universitar rajonal dhe ndërkombëtar, veçanërisht mes institucioneve universitare shqiptare.

 

Uni Education by Shark Themes