Ceremonia e prezantimit të Rektorit të zgjedhur, Prof. Dr. Mynyr Koni, dt. 30 Maj 2016 - UNIVERSITETI I TIRANËS

Ceremonia e prezantimit të Rektorit të zgjedhur, Prof. Dr. Mynyr Koni, dt. 30 Maj 2016

Në datën 30 Maj 2016, në Rektoratin e UT, u mbajt Ceremonia e prezantimit të Rektorit të ri të dekretuar të UT, Prof. Dr. Mynyr Koni, i cili u prit nga paraardhësi i tij Prof. Dr. Dhori Kule. Ata vlerësuan punën e deritanishme në Univeristetin e Tiranës dhe i uruan njëri-tjetrit suksese në detyrat e reja drejtuese.

Ish Rektori i UT, Prof. Dr. Dhori Kule, u shpreh: “Takimi i sotshëm, është kaq emocionues dhe i gëzueshëm njëkohëshisht! Në pozicionin e ish Rektorit, dëshiroj të uroj Rektorin e zgjedhur, Prof. Dr. Mynyr Konin, për detyrën e tij të re. Kam bindjen se te stafi i Universitetit të Tiranës, do të gjejë një ekip jashtëzakonisht të përkushtuar, po aq edhe të përgjegjshëm. Sfida të reja na presin dhe jam i bindur që do ti kalojmë me sukses, në drejtimin e Prof. Mynyr Konit, në drejtimin e dekanëve dhe drejtuesve të fakulteteve, gjithë trupës që u zgjodh. Ju uroj suksese dhe mbarësi!”

Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori i zgjedhur, Prof. Dr. Mynyr Koni shprehu falenderimet e tij ndaj gjithë strukturave të UT, studentëve dhe stafit akademik, të cilët i besuan mandatin e Rektorit për katër vitet në vazhdim. Në cilësinë e Rektorit, ai garantoi për një bashkëpunim të frytshëm, midis fakulteteve, departamenteve dhe filialeve për ta çuar më tej misionin e UT, si një tempull i rëndësishëm i dijes, me kontribute të veçanta në zhvillimin e shoqërisë shqiptare, në aspektin social, ekonomik, politik, etj. Prof. Koni u shpreh: “Sigurisht ne na presin shumë sfida, por ajo që është më e rëndësishme, është funksionimi si një trupë e vetme. Dua të falenderoj, në mënyrë të veçantë, Prof. Dr. Dhori Kulen, ish Rektorin e UT, i cili për 8 vite ka dhënë një kontribut mjaft të vlefshëm në zhvillimin e Universitetit të Tiranës”.