Emërimi i Dekanit të Fakultetit të Drejtësisë, Prof. Dr. Artan Hoxha, nga Rektori i UT, Prof. Dr. Mynyr Koni - UNIVERSITETI I TIRANËS

Emërimi i Dekanit të Fakultetit të Drejtësisë, Prof. Dr. Artan Hoxha, nga Rektori i UT, Prof. Dr. Mynyr Koni

Prof. Dr. Mynyr Koni emëroi dekanin e ri të Fakultetit të Drejtësisë, Prof. Dr. Artan Hoxha, të cilit i uroi suksese në detyrën e tij dhe njëkohësisht i kërkoi që fakulteti që ai do të drejtojë të ketë një rol sa më aktiv në proceset e rëndësishme që po ndodhin në vendin tonë. Rektori falenderoi gjithashtu ish dekanin e FD, Prof. Dr. Altin Shegani dhe ekipin e tij për kontributin e dhënë në zhvillimin e këtij fakulteti.

Rektori i UT falenderoi stafin pedagogjik dhe studentët e FD për pjesëmarrjen masive në procesin zgjedhor, të cilët me pozitivitetin dhe tolerancën e treguar e vlerësuan në mënyrën më të mirë institucionin e Universitetit të Tiranës.

Prof. Dr. Mynyr Koni u ndal dhe tek sfidat me të cilat do të përballet UT, siç është ajo e implementimit të Ligjit të Arsimit të Lartë, ku nga Fakulteti i Drejtësisë kërkohet një kontribut më specifik në aktet rregullative bazë, si statuti dhe rregullorja e UT, në mënyrë që senati të miratojë dokumenta dinjitoze dhe afatgjata.

Prof. Dr. Artan Hoxha, në fjalën e tij theksoi se është një privilegj dhe njëkohësisht detyrë për të, drejtimi i Fakultetit të Drejtësisë. Ai falenderoi Prof. Dr. Altin Sheganin për kontributin dhe bashkëpunimin e treguar në këto katër vite, dhe uroi shefat e rinj të departamenteve në detyrën e tyre të re. Dekani i ri i FD e siguroi rektorin për kontributin e tij dhe të fakultetit për reformimin e akteve, si edhe në pasqyrimin e nevojave të mëtejshme.