Më datë 1 Qershor 2016, u zhvillua emërimi i Dekanit të Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Dr. Edmond Rapti.
Prof. Dr. Mynyr Koni si fillim i uroi suksese dekanit dhe shefave të departamenteve të Fakultetit të Shkencave Sociale, të shpallur fitues nga procesi zgjedhor. Njëherazi falenderoi Prof. Dr. Theodhori Karaj, ish dekanin si edhe të gjithë ish-drejtuesit e tjerë të departamenteve për kontributin që kanë dhënë për zhvillimin e këtij fakulteti.
Prof. Dr. Koni u shpreh se “Një nga detyrat kyçe të Universitetit të Tiranës është implementimi i Ligjit të Arsimit të Lartë i cili është një detyrim ligjor por edhe i nevojshëm për mirëfunksionimin e Universitetit të Tiranës. Një tjetër pikë e rëndësishme është Statuti dhe Rregullorja e Universitetit të Tiranës, dy dokumenta të cilat do të drejtojnë këtë Universitet si edhe themelimi i të gjitha organeve drejtuese i cili finalizohet me themelimin e Senatit të Universitetit të Tiranës.”
Prof. Dr. Koni theksoi se dy janë problematikat kyçe të cilave do t’ju kushtohet një vëmendje e veçantë të cilat janë: çështja e cilësisë së mësimdhënies si edhe çështja e kërkimit shkencor.
Në fund të fjalës së tij, Prof. Dr. Koni u shpreh se në saj të bashkëpunimit të ngushtë që ai do të ketë me secilin prej fakulteteve, Universiteti i Tiranës do të përballojë me sukses të gjitha sfidat me të cilat do të ndeshet.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Prof. Dr. Edmond Rapti falenderoi Prof. Dr. Theodhori Karaj për punën e realizur në drejtimin e Fakultetit të Shkencave Sociale. Prof. Dr. Rapti u shpreh se në rolin e drejtuesit të këtij fakulteti ai do të siguroj që do të jetë shumë bashkëpunues me Rektoratin e Uiversitetit të Tiranës dhe se ky fakultet do të jetë një ndihmesë për përballjen me sukses të sfidave të Universitetit.