Ferid Murad, Nobelisti shqiptar, do të mbetet ngaherë model dhe burim frymëzimi për familjen akademike shqiptare. - UNIVERSITETI I TIRANËS

Ferid Murad, Nobelisti shqiptar, do të mbetet ngaherë model dhe burim frymëzimi për familjen akademike shqiptare.

Ferid Murad,Nobelisti shqiptar, do të mbetet ngaherë model dhe burim frymëzimi për familjen akademike shqiptare.Një personalitet i madh dhe i shquar i shkencës së mjekësisë shqiptare dhe botërore, Prof. Murad është ndarë nga jeta në moshën 87 vjeçare.Ky është një lajm i hidhur për familjen, të afërmit, kolegët, bashkëpunëtorët dhe familjen akademike shqiptare. Ai ishte misionar në botën e mjekësisë dhe shkencës, të cilës i kishte kushtuar jetën.
Fituesi i çmimit Nobel në mjekësi në vitin 1998, Ferid Murad i rreshtoi ngjyrat kuq e zi krah nobelistëve të kombeve të tjera.
Ferid Murad ishte bir i një shqiptari që kishte emigruar në SH.B. A në vitin 1913 dhe e jetoi gjithë jetën e tij duke qenë i lidhur me origjinën e të atit, me rrënjët shqiptare.Vullneti i tij i paepur, talenti i rrallë dhe këmbëngulja e renditën akademikun shqiptar në listën e intelektualëve me më ndikim në shkencën e mjekësisë, duke u finalizuar edhe me akordimin e çmimit Nobel.Jeta dhe karriera e tij janë një burim fymëzimi dhe motivimi për këdo, por në veçanti për familjen e madhe të akademikëve shqiptarë, për studentët e çdo brezi në mjekësi, por jo vetëm.Universiteti i Tiranës, që prej 1999 ka fatin ta ketë këtë akademik mbarëbotëror pjesë të Plejadës së Artë Akademike dekoruar me titullin “Doctor Honoris Causa”.Si Rektor i Universitetit të Tiranës, shpreh dhimbjen për humbjen e kësaj figure të madhe të shkencës botërore dhe të një përfaqësuesi të madh të komunitetit intelektual shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës