Mesazhi i Rektorit të UT-ës, Prof. Dr. Artan HOXHA për fillimin e Vitit të Ri Akademik 2024-2025

Mesazhi i Rektorit të UT-ës, Prof. Dr. Artan HOXHA për fillimin e Vitit të Ri Akademik 2024-2025

Të nderuar kolegë profesorë, personel akademik i Universitetit të Tiranës!

Shumë të dashur studentë!

Jam njësoj i emocionuar në çdo fillim viti akademik. Pavarësisht që vitet kalojnë dhe eksperienca duhet të bëjë të vetën, mesa duket bashkë me vitet rritet dhe përgjegjësia, sfidat e dëshira për të bërë më të mirën.

Nisja e vitit akademik është një ngjarje tepër e rëndësishme për të gjithë ne. Me lejoni t’i uroj punë të mbarë të palodhurve, personelit akademik e stafit të UT.

Shumë suksese të gjithë studentëve në çdo program studimi të secilit fakultet e njësi të UT, e në veçanti, do doja përzëmërsisht t’i uroja mirëseardhjen atyre që për herë të parë ulen në auditorët e universitetit, suksese ë rrugë të mbarë akademike!

E në fakt, ky vit i ri akademik, përkon edhe me rinovimin e të gjithë strukturave drejtuese në nivel universiteti dhe fakultetesh. Zgjedhjet e qershorit përmbyllën një fazë dhe hapën një kapitull të ri për ambiciet tona për të modernizuar, përsosur dhe ndërkombëtarizuar universitetin tonë. Ne vijmë në këtë vit akademik, jo thjeshtë me premtime, por me energji të reja dhe vendosmërinë për t’i realizuar ato.

Bashkë jemi dëshmitar të një procesi të vazhdueshëm transformimi të mësimdhënies, duke nisur nga infrastruktura, metodologjite, por edhe kapacitetet.

Pa dashur t’ju lodh, më lejoni shkurtimisht të them dy-tre gjëra konkrete:

Universiteti jonë është akredituar në nivel institucioni në vitin 2023, për një periudhë 6 vjeçare. Ne kemi nënshkruar 177 marrëveshje në kuadër të programit Erasmus. Kemi 172 partnerë ndërkombëtarë, në 40 vende të ndryshme.

Jemi në një rrugë të pandalshme ndërkombëtarizimi, për t’i dhënë më shumë vlerë studimeve dhe diplomës tuaj tashmë për një treg global. Ne po rrisim numrin e programeve të studimit në gjuhën angleze në ciklin Bachelor dhe Master të miratuara nga MAS. Gjithashtu, ofrojmë edhe 4 programe të përbashkëta me universitete të tjera evropiane me diplomë të dyfishtë. Aleancat Universitare do rrisin mundesitë për mobilitete dhe studime për diploma dyfishe ose shumëfishe me universitete të njohura evropiane.

Për të dytin vit radhazi, do të mbahet konferenca shkencore studentore ndërkombëtare, një mundësi e madhe për të rinjtë që duan të dëshmojnë atësitë e tyre në kërkimin shkencor. 

Ne kemi nënshkruar dhjetra marrëveshje me institucione dhe kompani të mëdha vendase dhe të huaja, me qëllim zhvillimin e praktikave mësimore, Intershipeve, por edhe vendosjen e lidhjeve për të identifikuar hapësirat e punësimit apo pershtatur programet e studimit me kerkesat e tregut.

Por, Universitetin e Tiranës nuk e identifikon vetëm diploma. Ai është edhe një qendër e madhe rinore, me një jetë aktive sociale e hapësirë zhvillimi talentesh në fusha të ndryshme. Ku ju të dashur studentë, keni mundësinë të përfshiheni në nisma të ndryshme me karakter social e kulturor. Të apasionuarit pas sporteve të shumta kanë këtu hapësirën për t’u ushtruar, për të kultivuar talentin dhe për të demonstruar aftësitë e tyre në gara kombëtare dhe ndërkombëtare.

Dhe kjo është mendësia e përfshirjes sociale, mendësia e një komuniteti të rinjsh, me frymë të përbashkët konstruktive, që kultivon e ushtron vlera e talente, si qytetar aktiv e të përgjegjshëm të shoqërisë, të motivuar kështu mjaftueshëm për të qenë edhe profesionistë të shkëlqyer.

 

Me lejoni edhe njëherë t’ju uroj të gjithëve, studentë dhe personel akademik, suksese në këtë vit akademik! 

 

Rektor i Universitetit të Tiranës

Prof. Dr. Artan HOXHA