🤝 Në zbatim të Projektit: 101235913 — MEDIATOR — ERASMUS-EDU-2025-CBH me titull “Modernizing Education with Dispute Intervention and Training for Occupational Readiness”, projekt 2 vjeçar financuar nga Komisioni Evropian, në datat 14-16 shtator 2026 u zhvillua në Romë, Itali në Universitetin Roma Tre, Forumi Ndërkombëtar për Ndërmjetësimin, aktiviteti i radhës me pjesëmarrjen e partnerëve të këtij projekti.
Pjesëmarrës në këtë forum ndërkombëtar të partnerëve të këtij projekti nga UT ishin: Prof.Dr. Migena Leskoviku (drejtuese e projektit) dhe Prof.Dr.Çlirim Duro, pjesëtar i ekipit të projektit.
Në këtë forum u zhvilluan sesione të dedikuara mbi eksplorimin e praktikave më të mira të ndërmjetësimit në BE dhe Ballkanin Perëndimor, për të shkëmbyer njohuri dhe për të forcuar bashkëpunimin në fushën e ndërmjetësimit. Si pjesë e aktiviteteve të këtij projekti, forumi përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të lidhjes mes arsimit të lartë, sistemit ligjor dhe praktikave të ndërmjetësimit në Shqipëri dhe Kosovë. Ai i përgjigjet nevojës në rritje për mekanizma alternative të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve (ADR), veçanërisht ndërmjetësimin, si një mënyrë për të përmirësuar aksesin në drejtësi dhe për t’u përafruar me standardet ligjore evropiane.
Gjatë këtyre tri ditëve, Forumi shqyrtoi praktikat më të mira të ndërmjetësimit në BE, praktikën italiane, si dhe legjislacionin dhe praktikën e ndërmjetësimit në Itali, Letoni, Hollandë, Shqipëri dhe Kosovë. Programi përfshinte prezantime nga ekspertët pjesëmarrës nga secili institucion partner, diskutime në tryeza të rrumbullakëta, takime për zbatimin e projektit dhe vijimin e tij.
🤝 Ky Forum ishte një mundësi e vlefshme për të ndarë përvoja, për të diskutuar sfidat dhe për të punuar së bashku drejt praktikave më të forta dhe më efektive të ndërmjetësimit në Evropë.




