Titulli i Disertacionit: KUSHTET AGROKLIMATIKE DHE POTENCIALI PRODHUES I TOKAVE LIGATINORE TË FUSHËS SË MYZEQESË
Autori: Gazmir ÇELA
-
Institucioni: Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë / Departamenti i Gjeografisë
-
Fusha e studimit: Shkenca Humane, Albanalogjike dhe Gjeografike, nënfusha Gjeografi
-
Data e publikimit: 10.11.2026
-
Disertacioni gjendet i publikuar në Gjuhën Shqipe
© E drejta e autorit: Gazmir ÇELA
Publikuar nga Universiteti i Tiranës
Bazuar në aktet ligjore, rregulloreve dhe politikave të UT-ës
👉 Klikoni këtu për të parë disertacionin e plotë (PDF)
PARATHËNIE
Ky punim doktorate përqendrohet në vlerësimin e kushteve agroklimatike dhe potencialit prodhues të tokave ligatinore në Fushën e Myzeqesë, një nga zonat më të rëndësishme bujqësore të Shqipërisë.
Studimi synon të analizojë në mënyrë të integruar ndikimin e elementeve klimatike mbi zhvillimin e proceseve bujqësore, duke theksuar rolin e klimës si një faktor përcaktues në ecurinë e sektorit agrarë.
Tendencat klimatike në dekadat e fundit kanë shtuar nevojën për analiza të detajuara të burimeve agroklimatike. Në këtë kuadër, vlerësimi i elementeve si temperatura e ajrit, reshjet atmosferike dhe rrezatimi diellor përbën një bazë thelbësore për kuptimin e potencialit prodhues dhe identifikimin e rreziqeve klimatike. Këto rreziqe shfaqen në formën e thatësirave, stresi termik dhe mungesës së ujit gjatë periudhave kritike të zhvillimit të kulturave bujqësore.
Studimi mbështetet në analiza të detajuara statistikore të serive shumëvjeçare të të dhënave meteorologjike, duke përfshirë periudhën afatgjatë të vrojtimeve për disa vendmatje përfaqësuese të zonës së studimit. Për të rritur objektivat dhe besueshmërinë e analizës, janë integruar gjithashtu burime alternative të të dhënave, përfshirë të dhëna të rianalizës dhe produkte satelitore, të cilat mundësojnë një vlerësim më të plotë hapësinor dhe kohor të elementeve klimatikë.
Në aspektin metodologjik, punimi kombinon qasje statistikore klasike me metoda bashkëkohore të përpunimit të të dhënave dhe analizës hapësinore. Përdorimi i Sistemeve të Informacionit Gjeografik (GIS) dhe teknikave të Remote Sensing, ka mundësuar analizën e shpërndarjes gjeografike të treguesve agroklimatikë dhe paraqitjen vizuale të rezultateve në mënyrë të qartë dhe të standardizuar. Gjithashtu, janë përdorur tregues të ndryshëm agroklimatikë për të vlerësuar potencialin termik të zonës, si dhe për të analizuar ndikimin e kushteve klimatike në zhvillimin e periudhës së vegjetacionit.
Një rëndësi e veçantë i është kushtuar analizës krahasuese ndërmjet periudhave klimatike të ndryshme, me qëllim evidentimin e trendit afatgjatë dhe ndryshimeve në regjimin klimatik. Kjo qasje mundëson një interpretim më të thelluar të vijimësisë së kushteve agroklimatike dhe pasojave të tyre për sektorin bujqësor në kushtet e ndryshimeve klimatike.
Megjithëse studimi mbështetet në një bazë të gjerë të dhënash dhe metodash analitike, ekzistojnë edhe disa kufizime që lidhen kryesisht me mungesën e vazhdueshmërisë së plotë të serive kohore për disa parametra meteorologjikë. Këto kufizime janë trajtuar nëpërmjet aplikimit të metodave të përshtatshme statistikore dhe integrimit të burimeve alternative të informacionit, duke ruajtur koherencën dhe besueshmërinë e analizës.
Ky punim synon të kontribuojë në pasurimin e literaturës shkencore në fushën e agrometeorologjisë dhe të ofrojë një bazë të qëndrueshme për studime të mëtejshme dhe për vendimmarrje të informuar në sektorin bujqësor, veçanërisht në zonat me potencial të lartë prodhues si Fusha e Myzeqesë.
