Universiteti i Tiranës (UT) në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës Popullore të Kinës, organizoi Ceremoninë e Hapjes së Institutin Konfuci në UT, ditën e hëne, datë 18 Nëntor 2013, ora 11:00, në ambjentet e Godinës “Liria”, Qyteti Studenti. Vendi ynë u është bashkuar 96 vendeve të tjera në botë që kanë hapur një institut të tillë.
Instituti Konfuci-UT është i angazhuar në drejtim të promovimit të gjuhës kineze dhe burimeve të tjera të të studiuarit të kësaj gjuhe.
Pjesëmarrës në këtë aktivitet kanë qenë: Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Edi Rama, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Znj. Lindita Nikolla, Rektori i UT-Prof. Dr. Dhori Kule, Rektori i Universitetit “Beijing Foreign Studies University”, Prof. Dr. Han Zhen, Ambasadori i Republikës Popullore të Kinës, Sh. T. Z. Ye Hao, si dhe përfaqësues të tjerë të këtyre instituteve në botë, Rektorë të universiteteve të tjera publike, përfaqësues të Dhomave të Tregtisë, dekanë dhe drejtues nga të gjitha fakultetet, pedagogë dhe studentë të UT-së.
Qëllimi i tij kryesor është promovimi i gjuhës kineze për të kontribuar në zhvillimin e multikulturalizimit. Gjuha është një urë për shkëmbimin kulturor, ndaj të mësuarit e saj, do të lejojë të kuptuarin e kulturës kineze për rininë shqiptare, si dhe do të motivojë interesat e tyre për të studiuar në Kinë. Instituti do të jetë një vlerë e shtuar për universitetin jo thjeshtë në drejtim të promovimit të gjuhës dhe kulturës kineze por edhe në organizimin e aktiviteteve të ndryshme, si psh: leksioneve të hapura, seminareve, konferencave ndërkombëtare akademike, etj., si dhe organizimin e aktiviteteve të ndryshme që mbulojnë kulturën, historinë, filozofinë, politikën, artin si dhe tema të ngjashme të interesit.