Ditën e Mërkurë, datë 21 maj 2014 në orën 13.00, në Sallën e Senatit Akademik të Rektoratit të Universitetit të Tiranës , u organizua ceremonia e dhënies së titullit “Doctor Honoris Causa” Z. Fatmir Limaj me motivacionin: “Për kontribut të veçantë për çështjen kombëtare, krijimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës, si dhe forcimin e institucioneve dhe respektimin e shtetit të së drejtës, si garanci për të ardhmen e vendit.” Në këtë ceremoni morën pjesë Z.Ilir Meta, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, Prof. Dr. Dhori Kule, Rektor i Universitetit të Tiranës, Z. Lulzim Basha, Kryetar i Bashkisë së Tiranës, Z.Gani Veselaj, përfaqësuesi i Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shqipëri, deputetë, senatorët e UT-së, shumë personalitete nga fusha e politikës, arsimit dhe fusha të tjera nga Shqipëria dhe Kosova si dhe dhe të ftuar të tjerë.
Ceremonia u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe respekti të thellë reciprok. Z. Fatmir Limaj mbajti një fjalim emocionues që përfshiu gjithë pjesëmarrësit.
Pak nga Biografia e tij: Fatmir Limaj lindi më 4 shkurt të vitit 1971 në Kosovë, është politikan, jurist shqiptar dhe ish luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si dhe ish Ministër i Transportit dhe i Postë-Telekomunikacionit gjatë viteve 2007 – 2010. Pjesëmarrja në UÇK Qysh në moshën 16 vjeçare filloi të merrej me lëvizjet e atëhershme ilegale. Është një ndër themeluesit e ish-UÇK-së. Në aksionet e policisë serbe për t’i arrestuar aktivistët e UÇK-së, në vitin 1996 i’u arrestua vëllau i tij Demir Limaj ndërsa ai vet u detyrua të dilte jashtë shtetit (në Zvicër). Në vitin 1997 u kthye në Kosove që të ishte aty kur UÇK-ja do të dilte publikisht në skenë. U emërua si Komandant i Brigadës 121 – “Kumanova” dhe ishte një ndër udhëheqësit politik e ushtarak të UÇK-së. Ishte përherë aktiv në betejat që i zhvillonte brigada e tij. Gati në secilën betejë brigada e tij triumfoj, si në betejat në Llapushnik, Rahovec, Duhël, Malishevë, Therandë, etj. Karriera Politike Pas përfundimit të luftës, Fatmir Limaj u shpall si nënkryetar i PDK-së, shef i grupit parlamentar të PDK-së dhe zv. Ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Përkohshme. Pas triumfit në Hagë, ai i’u rikthye sërish jetës politike si nënkryetar i PDK-së. Në zgjedhjet e vitit 2007, të cilat PDK i fitoi, Fatmir Limaj doli si njeriu i dytë më i votuar në Kosovë menjëherë pas Hashim Thaçit.
Fatmir Limaj u zgjodh si Ministër i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit të Kosovës. Gjatë mandatit të tij 3-vjeqar në krye të Ministrisë së Transportit janë shtruar 1300 km rrugë. Gjithashtu ai nënshkroi kontratën për Rrugën e Kombit : Morinë – Prizren – Prishtinë – Merdare që lidhet me pjesën e përfunduar të autostradës në Shqipëri.
Në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura më 12 dhjetor Fatmir Limaj ishte njeriu i dytë më i votuar në PDK pas liderit të saj. Z. Limaj është deputet i Kuvendit të Kosovës që nga legjislatura e parë e tij. Aktualisht është Kryetar i Partisë “Nisma për Kosovën”.