Për të pestin vit radhasi, Universiteti i Tiranës organizoi një sërë aktivitetesh në kuadër të JavësGlobale të Sipërmarrjes.
Edhe këtë vit, Qendra e Karrierës së Universitetit të Tiranës gjatë datave 17-23 Nëntor 2014 organizoi evente që nxisnin shpirtin sipërmarrës dhe iniciativën tek studentët.
Duke nisur me “Business Speed Dating” ku studentët për rreth dy orë mundën të shkëmbenin mendime e ide biznesi me disa nga sipërmarrësit më të suksesshëm vendas, duke ndarë eksperiencat e tyre dhe inkurajuar studentët mbi iniciativat e reja sipërmarrëse.
Idetë e reja të biznesit nga të rinjtë e Universitetit të Tiranës morën këshillimin dhe orientimin e duhur gjatë trajnimit “Si të hapësh një biznes në Shqipëri” zhvilluar pranë Rektoratit të Universitetit të Tiranës nga Znj. Migena Hasa.
Të tjerë studentë ishin pjesë e një udhëtimi pranë tre kompanive të mëdhaja si Plus Comunication, Delotte Albania dhe Hako gjatë “Business Trip” ku panë nga afër funksionimin e departamenteve të ndryshme, duke ndërthurur kështu praktikën me teorinë e mësuar në auditoret e Universitetit të Tiranës.