Konferenca per shtyp e Rektorit te UT-se mbi kriteret e pranimit per vitin akademik 2017-2018 - UNIVERSITETI I TIRANËS

Konferenca per shtyp e Rektorit te UT-se mbi kriteret e pranimit per vitin akademik 2017-2018

Sot, më datë 17.01.2017, në mjediset e Rektoratit të Universitetit te Tiranës,  Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Mynyr Koni mbajti një Konferencë për Shtyp lidhur me Kriteret e Pranimit në Programet e Ciklit të Parë të Studimeve si dhe kriteret e pranimit në Programin e Integruar të Studimeve të Ciklit të Dytë në Fakultetin e Drejtësisë për Vitin Akademik 2017-2018.

Rektori theksoi se kriteret e vendosura janë në përputhje të plotë me kurrikulat që maturantët kanë zhvilluar ose janë duke zhvilluar në sistemet parauniversitare publike dhe jo publike në Republikën e Shqipërisë dhe jashtë saj. Në bazë të analizës së kurrikulës së shkollës së mesme, Prof. Koni tha se Universiteti i Tiranës është përpjekur të vendosë kriteret perfekte në mënyrë të tillë që puna e maturantëve ndër vite të mos humbasë, por të vlerësohet dhe ata të zgjedhin programin e studimit që u intereson.

Edhe këtë vit, kriteret kanë një orientim specifik duke u bazuar në:

–      Mesataren e studimeve të tre viteve;

–      Mesataren e gruplëndëve specifike sipas programit të studimit të fakulteteve të ndryshme të UT-së;

–      Provimet në disa programe studimi të maturës shtetërore;

Bërthama dhe përbërja kryesore në këto kritere jane lëndët e kurrikulës bërthame që zhvillohen në arsimin e mesëm të Republikës së Shqipërisë.