Lamtumirë, Profesor Servet Pëllumbi!
Vendi ynë humbi sot një nga figurat e rëndësishme të mendimit politik dhe bota akademike, një prej kontribuëtorëve të vyer.
Prof. Pëllumbi shërbeu disa dekada si pedagog në Universitetin e Tiranës dhe mban titullin Profesor Emeritus, për shkak të kontributit të gjatë jo vetëm në auditorët e UT-së, por edhe përmes veprës dhe studimeve të tij.
Ai ishte politikani i angazhuar i cili veçohej si figurë konsensuale; ka ushtruar detyra të larta shtetërore të cilat kulmojnë me drejtimin e Kuvendit të Shqipërisë, por është gjithashtu autor i disa botimeve themelore në lëmin e sociologjisë politike, filozofisë, etikës. Kontributi i tij është i përveçëm në analizën e tranzicionit shqiptar, një histori politike dhe shoqërore e Shqipërisë.
Prof. Pëllumbi u lind më 14 Dhjetor 1936 në Korçë dhe pas kthimit nga studimet në Shën Petërburg, ka dhënë kontribut të rëndësishëm në arsimin shqiptar, fillimisht në Institutin Pedagogjik të Korçës dhe më pas në Universitetin e Tiranës, për tri dekada me radhë.
Lamtumirë Profesori ynë i nderuar dhe mirënjohje për kontributin e një jete për arsimin shqiptar.
