Rektori i Universitetit të Tiranës Prof. Dr. Artan Hoxha dhe Drejtori i Institutit të Statistikave (INSTAT), Znj. Elsa Dhuli, nënshkruan një marrëveshje me qëllim bashkëpunimin mes palëve për të zhvilluar cilësinë e statistikave zyrtare, proceset kërkimore shkencore, përfshirjen e botës akademike në proceset e prodhimit të statistikave zyrtare dhe statisticienëve në pasurimin e kurrikulave mësimore.
Kjo marrëveshje synon:
-Të sigurojë bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve për modernizimin e proceseve të prodhimit statistikor, rritjes kuptueshmërisë dhe ndërgjegjësimit në statistika si dhe lehtësimin e proceseve kërkimore shkencore.
-Të vendosin në dispozicion të njëra-tjetrës të gjitha burimet njerëzore dhe materiale, për arritjen e qëllimeve që parashikon kjo marrëveshje.
-Pasurimin e kurrikulave dhe ngritjen sistemeve të mësimdhënies me qëllim prodhimin e statistikave zyrtare në përputhje me standardet e statistikave evropiane.
Nëpërmjet këtij bashkëpunimi INSTAT merr përsipër të mbështesë studentët dhe profesoratin në punën kërkimore-shkencore në lidhje me statistikat në fusha të ndryshme, nëpërmjet ofrimit të teknikave të avancuara të përpunimit statistikor dhe metodave statistikore si dhe duke i pajisur me dëshmi/certifikatë bazuar programit të ndjekur.
Të dyja palët shprehën gatishmëri për ta bërë këtë bashkëpunim efektiv dhe afatgjatë.