Më shumë mundësi bashkëpunimi me universitetet turke
Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, ka nënshkruar një Marrëveshje për Partneritet dhe Bashkëpunim me Rektorin e Universitetit Konya Necmettin Erbakan, Prof. Dr. Cem Zorlu. Kjo marrëveshje synon të forcojë bashkëpunimin akademik dhe shkencor ndërmjet dy institucioneve, duke përfshirë kërkimet e përbashkëta shkencore, shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve, si dhe zhvillimin e programeve arsimore.
Ky bashkëpunim mund të shtrihet në fusha të ndryshme akademike, me fokus në:
-Shkëmbimin e studiuesve dhe shkencëtarëve për projekte kërkimore të përbashkëta.
-Shkëmbimin e profesorëve për leksione dhe vizita akademike.
-Pjesëmarrjen në konferenca, simpoziume dhe projekte shkencore.
– Shkëmbimin e informacionit, materialeve akademike dhe publikimeve.
-Lehtësimin e lëvizshmërisë së studentëve për shkëmbime dhe vizita studimore.
-Krijimin e programeve të përbashkëta të diplomës.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe Zv/Rektorja e UT, Prof. Dr. Anila Paparisto, Drejtoresha e Kërkimit Shkencor, Projekteve dhe Marrëdhënieve me Jashtë, si dhe Koordinatori i Marrëdhënieve me Jashtë, Prof. Dr. Firat Yaldiznga nga Universiteti Konya Necmettin Erbakan, së bashku me përfaqësues nga Ambasada Turke në Shqipëri, Dr. Metin Bulet.
Ky është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve akademike dhe rritjes së mundësive për studentët dhe stafin akademik të Universitetit të Tiranës!