Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademikja znj. Justina Shiroka Pula, nga sot është Presidente e Republikës së Kosovës, pas zgjedhjes së saj nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Aktorët politikë të Kosovës arritën konsensusin e nevojshëm për zgjedhjen e Presidentes së re, duke i dhënë fund një periudhe të gjatë ngërçi politik dhe institucional.
Në emër të Universitetit të Tiranës, dua të përshëndes aktorët politikë të Kosovës për gjetjen e konsensusit institucional dhe, mbi të gjitha, të uroj akademiken znj. Justina Shiroka Pula për detyrën e lartë që iu besua si Presidente e Republikës së Kosovës.
Pak muaj më parë pata kënaqësinë të zhvilloj një takim me znj. Shiroka Pula, në cilësinë e saj si Kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Në fokus të bisedës sonë ishte thellimi i bashkëpunimit institucional dhe akademik, përmes nënshkrimit të marrëveshjeve dhe zhvillimit të projekteve të përbashkëta kërkimore-shkencore, organizimit të aktiviteteve shkencore e kulturore, si dhe realizimit të botimeve të përbashkëta.
Ky bashkëpunim dëshmon edhe një herë rëndësinë e urave të forta që institucionet akademike të Shqipërisë dhe Kosovës ndërtojnë e forcojnë së bashku, në shërbim të dijes, kërkimit shkencor dhe zhvillimit të dy vendeve tona.
Jam i bindur se Presidentja znj. Justina Shiroka Pula do t’i shërbejë me dinjitet Republikës së Kosovës, duke sjellë në këtë detyrë edhe përvojën e saj të gjatë akademike dhe institucionale.
Urimet më të mira për një mandat të suksesshëm!
Prof. Dr. Artan Hoxha
Rektor i Universitetit të Tiranës
