Mesazhi i Rektorit të UT-ës, Prof. Dr. Artan HOXHA për fillimin e Vitit të Ri Akademik 2026-2027 - UNIVERSITETI I TIRANËS

Mesazhi i Rektorit të UT-ës, Prof. Dr. Artan HOXHA për fillimin e Vitit të Ri Akademik 2026-2027

 

Të dashur studentë,

Të nderuar kolegë dhe anëtarë të personelit të Universitetit të Tiranës,

Çdo brez studentësh e ndryshon universitetin me mënyrën si mendon, me pritshmëritë që sjell dhe me pyetjet që shtron. Sot, ndërsa nisim vitin akademik 2026–2027, mirëpresim një brez të ri në Universitetin e Tiranës dhe marrim përsipër përgjegjësinë për t’iu përgjigjur ambicieve të tij.

Ju  uroj mirëseardhjen me bindjen se kontributi juaj do të ndihet në jetën dhe zhvillimin e universitetit tone! Studentëve që vijojnë studimet, ju uroj një vit që thellon dijet dhe ju afron me synimet tuaja akademike e profesionale!

E nisim këtë vit mbi një bazë të rëndësishme arritjesh akademike, kërkimore dhe ndërkombëtare. Sfida jonë është që këto arritje të ndihen gjithnjë e më shumë në përditshmërinë e studentëve: në cilësinë e mësimit, në mbështetjen gjatë studimeve dhe në përfshirjen në projekte. Në zbatim të Strategjisë së Zhvillimit të UT-së 2023–2028, për këtë vit synojmë të afrojmë më shumë mësimdhënien me kërkimin, të zgjerojmë pjesëmarrjen e studentëve në bashkëpunimet ndërkombëtare dhe të dëgjojmë më sistematikisht përvojën e tyre në universitet.

Pjesëmarrja në aleancën evropiane UNINOVIS i jep këtij drejtimi një hapësirë të re. Me universitetet partnere po zhvillojmë përvoja ndërkombëtare mësimi, praktika kërkimore dhe programe të përbashkëta. Për studentët dhe stafin tonë, kjo krijon mundësi për të punuar me kolegë nga vende e disiplina të ndryshme dhe për të qenë pjesë aktive e jetës akademike evropiane.

Teknologjitë digjitale dhe inteligjenca artificiale po ndryshojnë mënyrën si mësojmë, prodhojmë dije dhe ushtrojmë profesionet. Angazhimi ynë është t’i përfshijmë këto zhvillime në mësimdhënie dhe kërkim me përgjegjësi akademike, duke forcuar mendimin kritik, krijimtarinë dhe integritetin. Duam që të diplomuarit tanë të dinë të vlerësojnë informacionin, të përdorin me kompetencë teknologjinë dhe të marrin vendime të argumentuara në një botë që ndryshon shpejt.

Si universitet publik, kemi një përgjegjësi të veçantë ndaj shoqërisë shqiptare. Përmes kërkimit, bashkëpunimit me institucionet dhe sipërmarrjen, si edhe angazhimit në komunitet, synojmë t’u japim përgjigje nevojave të vendit. Në rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë, UT ka një rol të rëndësishëm në formimin e profesionistëve dhe në zhvillimin e ekspertizës që kërkon ky proces.

Të dashur studentë, ju ftoj ta jetoni plotësisht universitetin. Bëni pyetje, provoni idetë tuaja, përfshihuni në projekte dhe shfrytëzoni mundësitë e lëvizshmërisë. Ndërtoni miqësi, respektoni mendimin ndryshe dhe ndani me ne propozimet tuaja. Kontributi juaj e bën UT-në një komunitet më të hapur, më krijues dhe më të fortë.

Të nderuar kolegë, cilësia e Universitetit të Tiranës ndërtohet çdo ditë nga puna juaj në mësimdhënie, kërkim dhe në mbështetjen e jetës akademike. Ju falënderoj për përkushtimin dhe përgjegjësinë me të cilën e ushtroni këtë rol. Viti që nis na fton të ndajmë më shumë përvojën mes fakulteteve, të zhvillojmë bashkëpunime ndërdisiplinore dhe t’u krijojmë studentëve më shumë hapësirë për të marrë pjesë në kërkim. Përgjegjësia jonë si drejtues është të mbështesim zhvillimin tuaj profesional dhe të krijojmë kushte që idetë dhe nismat tuaja të gjejnë zbatim.

Personeli ndihmës akademik dhe administrativ ka një rol thelbësor në funksionimin e universitetit dhe në përvojën e përditshme të studentëve. Profesionalizmi, bashkëpunimi dhe komunikimi juaj i bëjnë angazhimet tona të prekshme. Ju falënderoj për punën që bëni çdo ditë, duke mbështetur procesin mësimor, veprimtarinë kërkimore dhe shërbimet universitare.

Le ta nisim këtë vit me besim te njëri-tjetri dhe me gatishmërinë për të kontribuar së bashku në zhvillimin e Universitetit të Tiranës.

Në emër të Universitetit të Tiranës dhe në emrin tim, ju uroj një vit akademik të mbarë, me mundësi të reja dhe arritje për secilin prej jush!

 

Prof. Dr. Artan Hoxha

Rektor i Universitetit të Tiranës

 

Uni Education by Shark Themes