Rektori - UNIVERSITETI I TIRANËS

Rektori

Rektori është autoriteti më i lartë akademik i UT_së, si dhe përfaqësuesi ligjor i tij për çështjet akademike dhe protokollare. Në institucionet publike të arsimit të lartë, ai zgjidhet nga anëtarët e asambleve të personelit akademik të njësive kryesore dhe studentët.  

 

 

Prof.Dr. Artan HOXHA

Rektor i Universitetit të Tiranës

Biografi mbi

Prof. Dr. Artan HOXHA

Personalitet në fushën e së drejtës, Rektor i Universitetit të Tiranës, Kryetar i Konferencës së Rektoreve të institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri

 

 

 

ARSIMI DHE TITUJT AKADEMIKË

Është diplomuar në Drejtësi në Universitetin e Tiranës, në vitin 1983. Në vitet 1994 -1995, në Leiden Law School, University of Leiden, Hollandë, ka kryer studimet pasuniversitare për Konventat e Këshillit të Evropës në fushën penale. Në vitin 2005 ka marrë diplomën Master në Shkenca Juridike, me mikrotezën “Marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në fushën penale” dhe në vitin 2009 ka mbrojtur Gradën shkencore “Doktor” në të Drejtën Penale, me tezë  dizertacioni “Bashkëpunimi gjyqësor ndërkombëtar në fushën penale”. 

Në vitin 2012 ka marrë titullin “Profesor i Asociuar” dhe në vitin 2015 titullin “Profesor”.

 

KARRIERA PROFESIONALE

Ka shërbyer në funksione të ndryshme në sistemin e Drejtësisë, si: Prokuror (në vitet 1983 – 1987 në Prokurorinë e Rrethit Lushnjë, në vitet 1987 – 1991 në Prokurorinë e Përgjithshme); Avokat (në vitet  1995-1997), Drejtor i Drejtorisë së Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë (në vitet 1997-1999), Anëtar i Gjykatës së Lartë i Republikës së Shqipërisë (në vitet 1999-2008), si edhe Pedagog i ftuar në Shkollën e Magjistraturës që nga viti 1997 dhe në vazhdim.

Që prej vitit 2008 është Personel akademik me kohë të plotë në Departamentin e së Drejtës Penale, të Fakulteti të Drejtësisë, UT, si edhe njëkohësisht ka shërbyer në funksione të ndryshme të këtij universiteti, si: Drejtor i Drejtorisë Juridike (në vitet 2008 – 2016); Dekan i Fakultetit të Drejtësisë (në vitet 2016-2020) dhe së fundmi Rektor.

Ka eksperiencë si lektor, lektor i ftuar dhe kërkues shkencor në universitete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, si në Universitetin Hugo De Groot, Leiden Law School, etj. Po ashtu, qe prej vitit 1994, është anëtar nderi në John Marshall Law School, Chikago, SHBA.

Në vazhdimësi, për shkak të aftësive dhe njohjes së thellë të së drejtës, ka kryer edhe funksione të tjera, si:

  • Anëtar i Bordit të Administrimit të Buxhetit Gjyqësor;
  • Kryetar i Komisionit për Ndihmën Legjislative të Konferencës Gjyqësore Kombëtare;
  • Anëtar i Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor;
  • Anëtar i Komisionit për hartimin e Kodit të Procedurës Penale;
  • Anëtar i Komisionit për hartimin e Kodit të Familjes;
  • Anëtar i Komisionit të Ekspertëve për Reformën në Arsimin e Lartë;
  • Anëtar i Komisionit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë për Reformën në Drejtësi;

Është ndër hartuesit e dokumentit analitik dhe strategjik të Reformës në Drejtësi (2014-2016), një nga reformat më të thella ligjore dhe institucionale të dy dekadave të fundit, që ka transformuar sistemin e drejtësisë.

Aktualisht është Anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë; Kryetar Bordi në Institutin Konfuci,  Kryetar i Konferencës së Rektorëve të institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri, Anëtar i Komitetit Ndërministror të Koordinimit të Politikave për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor.

Me nismën e tij, Ministri përgjegjës për arsimin e lartë, i propozoi Këshillit të Ministrave, ngritjen e Komitetit Ndërministror të Koordinimit të Politikave për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor, si organ konsultativ dhe përgjegjës për nxitjen e bashkëpunimit, zhvillimit të dialogut dhe koordinimit të procesit të hartimit, zbatimit, monitorimit dhe vlerësimit të politikave, strategjive dhe veprimtarive të tjera shtetërore në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

 

PUBLIKIME

Gjatë karrierës së tij profesionale dhe akademike ka punuar artikuj të shumtë shkencorë të botuar brenda dhe jashtë vendit; ka marrë pjesë në konferenca të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare; ka shkruar disa tekste dhe monografi, si:

  • Komentari i Kodit të Procedurës Penale;
  • Ekstradimi dhe Urdhëri Europian i Ndalimit;
  • L’integrazione dell’Albania nell’UE,
  • Udhëzues mbi normat standarde të trajtimit të fëmijeve në sistemin e drejtësisë (për gjyqtarë);
  • Konferenca e V Ndërkombëtare Mjekësore në Specialitete, Study of several indicators of peripheral blood;
  • Konference Shkencore Ndërkombëtare, Perspektivat e legjislacionit procedurial penal shqiptar në kuadrin e integrimit në BE;
  • Konferenca e katërt Mjekësore Ndërkombetare – Edukimi paramjekesor publik dhe zhvillimi i tij;
  • Konferenca e katërt Mjekësore Ndërkombetare – Aplikime të ligjit për arsimin e lartë ne fushën e edukimit mjëkesor publik;
  • Callenges of sustainable tourism development 2011;
  • Extra contracting responsibility of tourist entrepreneur for damages caused to health, security and property of client;
  • Konferenca e 3-të Ndërkombëtare Shkencore “Economic policy & E.U Integration” – New Albanian legislation for industrial property, a step forward alignment with the Acqius Communautaire;
  • Konferenca I Ndërkombetare Shkencore, The rights and obligations arising from the invention: reflections on some changes to the law “On industrial Property”;
  • Third international medical conference in specialties;
  • Konference Shkencore Ndërkombëtare “Penal protection of human dignity in the globalization area” ,Mbrojtja e integritetit moral të individit sipas këndveshtrimit të KEDNJ;
  • Sistemi kushtetues & sfidat e tij, Kushtetuta e R.Sh dhe garantimi i pavaresise se pushtetit gjyqesor, Ligji dhe shoqeria ne kuadrin e shtetit komb,Harmonizimi i drejtes penale ne kuadrin e B.E, etj.

Është njohës i mirë i gjuhës angleze dhe italiane.

 

DEKORIME

Është dekoruar nga Presidenti i Republikës me Medalje “Për merita të veçanta civile”, me motivacionin “Për kontribut të shquar në hartimin e legjislacionit të ri në fushën e drejtësisë, angazhimin dhe përkushtimin profesional e moral në ushtrimin e funksionit të anëtarit të Gjykatës së Lartë”.

***

Prof. Dr. Artan Hoxha, gjatë karrierës së tij afro 40 vjeçare, njihet dhe dallohet për merita dhe kontribute të veçanta në fushën e së drejtës, arsimit të lartë dhe në shoqëri, pasi jo vetëm ka dhënë një kontribut të çmuar profesional dhe moral në hartimin e reformës së re në drejtësi, kryesisht legjislacionit të ri në fushën penale, por edhe se, me angazhim të lartë dhe përkushtim profesional dhe moral në ushtrimin e detyrës së tij, si Rektori i Universitetit të Tiranës dhe Kryetar i Konferencës së Rektorëve të institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri, ka nxitur rritjen e bashkëpunimit efektiv ndërmjet Qeverise dhe Institucioneve të Arsimit të Lartë, duke lehtësuar ndërtimin e një sistemi arsimor të lartë dhe kërkimi shkencor cilësor, me integritet, transparent, ndërkombtarizuar, digjitalizuar dhe të orientuar drejt të nxënit dhe nevojave të vendit.

 

 

 

Prof. Dr. Artan HOXHA
Rektor i Universitetit të Tiranës
Adresa: Rektorati, Sheshi “Nënë Tereza” Tiranë, Shqipëri.
Kutia postare: Nr. 183
Telefon: +355 42228402
Email: artan.hoxha@unitir.edu.al