Rektori i UT, ligjerata për “Reformën në Drejtësi”, para studentëvë të Juridikut në Prishtinë - UNIVERSITETI I TIRANËS

Rektori i UT, ligjerata për “Reformën në Drejtësi”, para studentëvë të Juridikut në Prishtinë

Rektori i UT, ligjerata për “Reformën në Drejtësi”, para studentëvë të Juridikut në Prishtinë

Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Z.Artur Metani, iu drejtuan studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, me dy ligjerata mbi mënyrën e organizimit dhe funksionimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. “Reforma në Sistemin e Drejtësisë në Shqipëri dhe Procesi i Vetingut” – ishte ligjerata që mbajti Rektori i Universitetit të Tiranës, dhe “Pavarësia dhe Paanshmëria e gjyqtarëve-Standardet e BE-së”, ishte ligjerata që mbajti Z. Artur Metani, Inspektor i Lartë i Drejtësisë

Më pas rektori i UT, iu drejtua edhe një auditori me studentë të Fakultetit Juridik, Master Drejtimi Penal, ku mbajti ligjeratën “Reforma në Procesin Penal dhe Organizimi i Prokurorisë”.

Në kuadër të kësaj vizite në Prishtinë, Rektori i Universitetit të Tiranës dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë, zhvilluan edhe një takim me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese të Republikës Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani. Në fokus të takimit ishte rëndësia e komunikimit të vazhdueshëm ndërmjet spektrit akademik dhe institucional, unifikimi i standardit gjuhësor të përdorur në hartimin e dokumenteve ligjore dhe nevoja për reforma të vazhdueshme në kornizën ligjore të të dyja vendeve.

Gjatë fjalës së tij rektori Prof. Dr. Artan Hoxha theksoi rëndësinë e organizimit të praktikës institucionale të gjeneratave të reja të juristëve në fushën e së drejtës kushtetuese dhe nevojën për më shumë investime në këtë aspekt nga qeveritë e të dyja vendeve.

Ndërsa kryetarja Caka – Nimani informoi për marrëdhëniet e shkëlqyera të bashkëpunimit me gjykata kushtetuese rajonale, e posaçërisht me Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë.

Gjatë këtij takimi Rektori i UT, Prof.Dr. Artan Hoxha dhe Inspektori i Lartë i Drejtësië, Z.Metani, shoqëroheshin edhe nga Dekani i Fakultetit Juridik në Universitetit e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Prof. Dr. Avni Puka.